Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike

E Premte, 04.11.2016




Në mbledhjen e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, kryesuar nga Faton Topalli, kryetar i komisionit, u shqyrtua Raporti i Auditimit për pasqyrat vjetore financiare të Ministrisë së Diasporës, për vitin e përfunduar më 31 dhjetor 2015.


Ky raport u prezantua nga ministri i Diasporës, Valon Murati, i cili mes tjerash u zotua se do të jenë të fokusuar në implementimin e rekomandimeve të dhëna nga Zyra e Auditorit të Përgjithshëm.


Murati tha se ministria të cilën e drejton ai, kanë zhvilluar takime dhe kanë bashkëpunuar me Auditorin e Përgjithshëm, për të trajtuar bashkërisht të gjeturat. Ai bëri të ditur se kanë përgatitur edhe Planin e Veprimit për t'i trajtuar dhe adresuar rekomandimet të cilat i ka dhënë auditori dhe se kanë ndërmarrë masa për implementimin e të gjeturave. Murati vlerësoi se disa nga të gjeturat janë strukturore dhe shtoi se kanë kërkuar që disa nga to të trajtohen edhe me ndryshimin e ligjeve.


Raporti i auditorit është me opinion të pa modifikuar, me theksim të çështjes.


Komisioni diskutoi raportin në fjalë dhe kërkoi sqarime nga ministri për tu siguruar nëse rekomandimet e auditorit të përgjithshëm do të implementohen me përpikëri, si dhe kërkuan nga ministri që të trajtohen me seriozitet këto rekomandime.

Pikë e rendit të ditës së mbledhjes së sotme ishte edhe shqyrtimi i raportit të auditimit për pasqyrat vjetore financiare të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, për vitin 2015, mirëpo në mungesë të ministrit Memli Krasniqi, i cili gjendet në një udhëtim zyrtar, kjo çështje mbeti të shqyrtohet në mbledhjen tjetër të radhës.

 

Mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike