Lajmet e fundit
Kryetari Veseli takoi zëvendësambasadorin britanik, Tom Adams
E Hënë, 31.10.2016
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, priti sot në takim zëvendësambasadorin e Britanisë së Madhe në Kosovë, Tom Adams dhe përfaqësuesit e kompanive të cilat do të zbatojnë memorandumin e mirëkuptimit të nënshkruar gjatë muajit gusht midis kryeparlamentarit Veseli, kryeministrit Mustafa dhe ambasadorit britanik në Kosovës, O'Connell, lidhur me përzgjedhjen e kandidatëve në pozita të larta publike.
Kryetari Veseli u uroi mirëseardhje në Kosovë dhe suksese në punën e tyre përfaqësuesve të kompanisë "Assessment and Development Consultant" dhe kompanisë "BDO", duke i siguruar njëkohësisht, për bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme të Kuvendit të Kosovës.
"Meritokracia dhe transparenca në përzgjedhjen e zyrtarëve të lartë të shtetit është një ndër bazat më të rëndësishme të demokracisë sonë. Ky është vetëm fillimi i një procesi të rëndësishëm të pavarësimit dhe depolitizimit të pozitave të larta të institucioneve të pavarura", theksoi kryeparlamentari Veseli.