Lajmet e fundit
Nga mbledhja plenare e Kuvendit
E Premte, 28.10.2016
Mbledhja e sotme e Kuvendit të Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli (një pjesë u kryesua nga Sabri Hamiti, nënkryetar), filloi me pikën e zakonshme, deklarime jashtë rendit të ditës, ndërkaq në pyetjet e deputetëve u përgjigj ministri i Financave, Avdullah Hoti. Në këtë pikë u adresuan edhe pyetje të tjera parlamentare, por në mungesë të ministrave, ato mbetën pa përgjigje.
Kryeparlamentari Veseli, në emër të Kuvendit, i shprehu ngushëllime familjes Zatriqi, për vdekjen e familjarit, njëherësh ish-drejtori i RTK-së, Agim Zatriqi.
Seanca vazhdoi me diskutime për Propozim-Deklaratën e Kuvendit të Republikës së Kosovës adresuar Unionit Evropian për liberalizimin e vizave.
Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme, Elmi Reçica, bëri të ditur se në mbledhjen e komisionit përkitazi me këtë çështje, anëtarët e grupeve parlamentare në opozitë kanë shprehur vërejtjet e tyre lidhur me përmbajtjen e deklaratës dhe rrjedhimisht komisioni ka vendosur që ta përcjellë atë tutje në seancë, më vërejtjet e tyre.
Reçica konfirmoi se ishte projektuar që pas miratimit të kësaj deklarate, të krijohen grupe te përbashkëta nga të gjitha partitë, pozitë, opozitë dhe komunitetet jo shumicë, dhe në kryeqendrat evropiane dhe ato të vendosjes, të dëshmohej uniteti i spektrit politik lidhur me procesin e liberalizimit të vizave. Në funksion të kësaj, ai bëri thirrje që të votohet deklarata e propozuar.
Grupi Parlamentar i PDK-së dhe ai i LDK-së, duke vlerësuar punën e Komisionit për Punë të Jashtme, i dhanë përkrahje draftit të paraqitur, ndërsa grupet parlamentare të opozitës, VV, AAK dhe Nisma, paraqitën vërejtjet dhe pakënaqësitë e tyre lidhur me përmbajtjen e kësaj deklarate.
Në përpjekje për të arritur një konsensus, kryetari Veseli kërkoi që të gjitha grupet parlamentare të ulen dhe ta shqyrtojnë edhe njëherë tekstin e deklaratës, për të parë mundësitë e harmonizimit të qëndrimeve të tyre.
Pas pauzës, kryetari i Kuvendit bëri të ditur se grupet parlamentare nuk kanë arritur konsensus lidhur me deklaratën dhe rrjedhimisht, ekzistojnë dy draft-deklarata, njëra e grupeve parlamentare në pozitë, ndërsa tjetra e atyre opozitare.
Në këtë situatë, fjalën e mori kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme, Reçica, i cili theksoi se për shkak të mungesës së një qëndrimi unik lidhur me deklaratën, miratimi i saj pa një konsensus, nuk ka ndonjë vlerë. Për rrjedhojë, ai tërhoqi deklaratën e propozuar, veprim ky i cili u përkrah nga grupi parlamentar i PDK-së dhe ai i LDK-së. Pasi u pajtuan edhe grupet parlamentare në opozitë, VV, AAK dhe Nisma, Kuvendi njëzëri largoi nga rendi i ditës të dy draft-deklaratat.
Deputeti Zafir Berisha iu kthye edhe njëherë çështjes së aktakuzave dhe dënimeve ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së, pas ngritjes së sotme të aktakuzës për krime lufte ndaj deputetit Fatmir Limaj. Ai vlerësoi se në emër të drejtësisë, vazhdojnë të përndiqen komandantët e UÇK-së, duke iu bërë kështu padrejtësi vetë luftës së UÇK-së. Kryeparlamentari Veseli, diskutimin e deputetit Fatmir Limaj në debatin e djeshëm, e konsideroi si më të veçantin, i cili kishte kërkuar që të mos interferohet në çështje të drejtësisë. Kryetarja e GP të Nismës për Kosovën, Valdete Bajrami, kërkoi që diskutimi rreth kësaj teme të mbyllet.
Në vazhdim, Kuvendi iu kthye funksionit të tij ligjvënës, duke shqyrtuar në parim Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për faljen e borxheve publike. Ministri i Financave, Avdullah Hoti, miratimin e këtij projektligji e arsyetoi me kërkesat e shumta të personave fizikë dhe juridikë, të cilët nuk kanë pasur mundësi të aplikojnë për falje të borxheve brenda afatit që ka përcaktuar ligji paraprak. Sipas projektligjit të propozuar, afati për aplikim për falje të borxheve shtyhet për gjashtë muaj të tjerë.
Kryetari i Komisionit për Buxhet dhe Financa, Naser Osmani, vlerësoi se projektligji i plotëson kushtet formale-juridike për procedim. Ai tha se projektligji, i përbërë nga tri nene, parasheh që afati për aplikim për falje të borxheve, të shtyhet deri më 15 prill 2017, mirëpo për shkak të vonesës së procedimit të projektligjit, ai bëri të ditur se komisioni do të propozojë, nëpërmjet amendamenteve, që ky afat të shtyhet deri më 1 qershor 2017.
Safete Hadërgjonaj në emër të PDK-së, Bali Muharremaj në emër të AAK-së, Valdete Bajrami në emër të Nismës dhe Fikrim Damka në emër të GP 6 plus, mbështetën projektligjin, ndërsa kundër tij u shpreh Lëvizja Vetëvendosje nëpërmjet deputetes Shqipe Pantina. Sidoqoftë, me shumicë votash, Kuvendi miratoi projektligjin dhe ngarkoi komisionet përkatëse që të bëjnë shqyrtimin e tij. Në shqyrtim të dytë, ndërkaq, u miratuan tri projektligje: Projektligji për kamatë-vonesat në transaksionet tregtare, Projektligji për shërbimin mjekësor emergjent, si dhe Projektligji për profesionet e rregulluara në Republikën e Kosovës, me amendamentet e propozuara.
Më pas, konform propozim-vendimit të qeverisë, Kuvendi emëroi anëtarët e Bordit të Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave, në këtë përbërje: Arsim Berisha, kryesues, Shkumbin Hyseni, Ilmi Ahmeti, Gëzim Qerimi, anëtarë.
Mbledhja e Kuvendit vazhdoi me procedurë të votimit të fshehtë për katër pikat e radhës. Në funksion të efektivitetit të punës, pas mbështetjes nga të gjitha grupet parlamentare, Kuvendi procedoi me votim të fshehtë për tri pika njëherësh: zgjedhjen një anëtari të Këshillit Prokurorial të Kosovës, zgjedhjen e kryesuesit të Komisionit Shqyrtues në Autoritetin Rregullator për Shërbimet e Ujit dhe zgjedhjen e zëvendësdrejtorit të Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit.
Pas numërimi t të votave, komisioni i përzgjedhur konstatoi se kandidati Xhelal Selmani, me 50 vota të deputetëve, është zëvendësdrejtor i Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit, me mandat pesëvjeçar, ndërsa Arsim Rashiti, kryesuesi i Komisionit Shqyrtues në Autoritetin Rregullator për Shërbimet e Ujit, po ashtu me mandat pesëvjeçar.
Ndërsa, në garën për anëtar të Këshillit Prokurorial të Kosovës, të drejtën për raund të dytë të votimit e fituan kandidatët Shemsi Jashari dhe Naim Krasniqi, të cilët morën më së shumti vota gjatë raundit të parë.
Në mungesë të kuorumit, kryesuesi i seancës, nënkryetari Hamiti, ndërpreu punimet e Kuvendit dhe bëri të ditur se për vazhdimin e votimit dhe të shqyrtimit të pikave të mbetura, do të vendosë Kryesia e Kuvendit.