Lajmet e fundit
Kryetari Veseli mori pjesë në hapjen e Konferencës së Teknologjisë Informative KOSICT
E Premte, 28.10.2016
Nën patronatin e kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, sot në Prishtinë ka filluar punimet Konferenca e Teknologjisë Informative KOSICT.
Në fjalën e tij para të pranishmëve të shumtë, kryeparlamentari Veseli theksoi edhe njëherë përkushtimin e tij për të qenë në krah të të gjitha iniciativave që lidhen me Teknologjinë Informative, përkatësisht inovacionin dhe kreativitetin.
Duke e konsideruar këtë konferencë të një rëndësie të veçantë, Veseli tha se kjo është edhe një dëshmi e kualitetit të jashtëzakonshëm që rinia e Kosovës posedon në këtë fushë, duke marrë përgjegjësi dhe luajtur rolin e saj në shoqëri. Zhvillimi i kësaj fushe, shtoi kryetari Veseli, lidhet drejtpërdrejt me zhvillimin e gjithmbarshëm të vendit.
"Jam i orientuar fuqishëm në përkrahje të këtij sektori dhe të çdo iniciative që mundëson zhvillimin e tij", theksoi kryeparlamentari Veseli, duke përsëritur qëndrimin për vënien e Qendrës Protokollare në Gërmi në shërbim të Teknologjisë Informative.