Lajmet e fundit
Nga Mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa
E Mërkure, 26.10.2016
Komisioni për Buxhet dhe Financa, në mbledhjen e sotme, të kryesuar nga Naser Osmani, kryetar, shqyrtoi kërkesën e Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për miratimin e taksave vjetore për vitin 2017, kërkesën për përcaktimin e pagës së anëtarëve të Bordit të Drejtorëve të KOSTT-it dhe Komisionit të Auditimit, si dhe kërkesat buxhetore të Kuvendit të Kosovës për vitin 2017-2019, në bazë të qarkores së dytë buxhetore të Ministrisë së Financave 2017/02.
Kërkesën e Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për miratimin e taksave vjetore për vitin 2017, e arsyetoi Kryesuesi i Bordit Drejtues të FKPK-se, Ymer Havolli, i cili theksoi se për vitin 2017, Fondi ka propozuar miratimin e taksës operacionale prej 0,082%, si dhe miratimin e taksës investive prej 0.393%.
Pas diskutimeve, pyetjeve dhe sqarimeve, Komisioni përkrahu Kërkesën e Fondit Pensional për miratimin e taksave vjetore për vitin 2017 dhe i rekomandoi Kuvendit për miratim, me disa ndryshime/zvogëlim të buxhetit për shpenzimet operacionale.
Në vazhdim, Komisioni shqyrtoi kërkesën për përcaktimin e pagës së Bordit të Drejtorëve të KOSTT-it dhe Komisionit të Auditimit. Iu rekomandua Kuvendit miratimi i pagës së kryesuesit dhe anëtarëve të Bordit të Drejtorëve dhe kryesuesit dhe anëtarëve të Komisionit të Auditimit, të Operatorit të Sistemit të Transmetimit, bazuar ne Ligjin për energjinë elektrike.
Komisionit gjithashtu, shqyrtoi kërkesat buxhetore të Kuvendit të Kosovës për vitin 2017-2019, në bazë të Qarkores së dytë buxhetore të Ministrisë së Financave 2017/02, dhe i rekomandoi Kryesisë së Kuvendit për miratim.