Lajmet e fundit

Nga vizita e anëtarëve të Komisionit në Zyrën e Prokurorit Disiplinor

E Marte, 25.10.2016




Në vazhdën e takimeve të grupit punues të ngarkuar për mbikëqyrjen e zbatimit të ligjive nr.03/L-223 për Këshillin Gjyqësor të Kosovës, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr. 05/L-033 dhe 05/L-094 dhe mbikëqyrjen e Ligjit nr. 03/L për Këshillin Prokurorial të Kosovës, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr. 05/L-035, deputetët Armend Zemaj dhe Albulena Haxhiu vizituan sot Zyrën e Prokurorit Disiplinor, për tu takuar me drejtorin e kësaj zyre z.Zef Prendrrecaj dhe prokuroren Disiplinore znj. Hasime Osmani.


Në fillim të këtij takimi, anëtarët e Komisionit për Legjislacion të Kuvendit të Republikës së Kosovës, thanë së përveç mbikëqyrjes së zbatimit të Ligjeve, kanë synim krijimin e një raporti të ri me institucionet e sistemit të drejtësisë, që do t'i shërbente ndërtimit të një sistemi të drejtësisë, sa më funksional dhe profesional.


Më pas, anëtarët kanë shprehur interesimin e tyre lidhur me punën e Zyrës së Prokurorit Disiplinor, dhe proceset që janë zhvilluar dhe pritet të zhvillohen, e që i shërbejnë zbatueshmërisë së ligjeve të KGJK-së dhe KPK-së.


Në këtë takim u diskutua për sfidat në zbatimin e ligjit në përgjithësi dhe nevojat për adresimin e problemeve që aktualisht ka sistemi i drejtësisë. Mungesa e buxhetit ishte shqetësimi kryesor që u ngrit nga drejtori i Zyrës Disiplinore z. Zef Prendrrecaj, duke pohuar se, me këtë buxhet që ka zyra e Prokurorit Disiplinor, është vështirë i përballueshëm adresimi i sfidave, ndaj është e nevojshme rritja e numrit të prokurorëve dhe e stafit profesional. Gjithashtu shqetësim tjetër që u ngrit nga z. Prendndrecaj ishte nevoja urgjente për një objekt të veçantë për këtë institucion. Me këtë rast është kërkuar që mos të jenë në një objekt me prokurorët dhe gjyqtarët, duke tërhequr vëmendjen se kjo mund të shkaktojë keqkuptime me qytetarët në raport me punën që bën kjo zyrë. Po ashtu në kuadër të procesit të hartimit të projektligjeve të sistemit të drejtësisë që po bën ministria gjegjëse, z. Prendndrecaj kërkoi që Zyra e Prokurorit Disiplinor të mos jetë në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, por të jetë pranë Kryeprokurorit të Shtetit ose të themelohet nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.

 Nga vizita e anëtarëve Komisionit në Zyrën e Prokurorit Disiplinor Nga vizita e anëtarëve Komisionit në Zyrën e Prokurorit Disiplinor Nga vizita e anëtarëve Komisionit në Zyrën e Prokurorit Disiplinor