Lajmet e fundit
Nga dy sesionet e pasdites së sesioni II të Seminarit të 93-të ROSE-ROTH të AP të NATO-s
E Diel, 23.10.2016
Në ditën e dytë, (gjatë pasdites së sotme) të Seminari i 93-të ROSE-ROTH të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, janë zhvilluar dy sesione të moderuar nga: Muhamet Mustafa kryetar i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, Kuvendi i Kosovës dhe Frank van KAPPEN (Holandë), zëvendëskryesues i Komisionit të AP-së së NATO-s për Ekonomi dhe Siguri.
Në sesionin e V të titulluar: "Një agjendë për zhvillimin rajonal" është sheshuar nevojën për rritjen ekonomike në Ballkanin Perëndimor, duke u përqendruar tek trajtimi rrënjësor i sfidave të mëdha ekonomike, si në aspektin e dobësive të brendshme, ashtu edhe në aspektin e pengesave rajonale ekonomike. Panelistët : Gazmend Turdiu, Zëvendës Sekretar i Përgjithshme, Këshilli për Bashkëpunim Rajonal dhe Matteo Rivellini, Udhëheqës i Divizionit për Ballkanin Perëndimor, nga Banka Evropiane e Investimeve.
Gazmend Turdiu, ka folur lidhur me bashkëpunimin ekonomik në Ballkanin Perëndimor , për të arriturat dhe rrugën që duhet ndjekur që të arrihet këto synime. Ai me një gjuhë të thuktë prej eksperti ka shpjeguar punën dhe organizimin e Këshillit për Bashkëpunim , me seli në Sarajevë, i formuar që më 2008. Ai, ndërkaq ka pohuar se që nga viti 2013 edhe Kosova është anëtare, me të drejta të barabarta e këtij këshilli.
Ndër sfidat kryesore të qytetarëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor i ka veçuar zhvillimin e pamjaftueshëm ekonomik dhe papunësisë, duke pohuar se nga anketimet e kryera rezulton se 73 për qind e qytetarëve këto dy çështje i kanë brengat kryesore të tyre. Këshilli, ka thënë ai, ka arritur një marrëveshje me qeveritë e vendeve të rajonit që të hiqen barrierat barriera në këmbimin e mallrave, transport, punësim etj. Ai e ka quajtur shumë të nevojshme përmirësimin e klimës për investime në këtë pjesë të Evropës. Ndërkaq, është angazhuar për integrimin e sistemeve energjetike të këtyre vendeve për transportin multi-modal për gjithë Ballkanin Perëndimor, si dhe për pranimin e kualifikimeve profesionale.
Turdiu ka theksuar se duhet të përmirësohet efiçienca në sektorin publik të punësimit, ndërkaq e ka parë shumë të nevojshme harmonizimin e korikulave shkollore, për të përgatitur ekspertë të aftë për punë edhe përtej rajonit. Duke folur për problemin e punësimit të të rinjve, e ka bërë publik faktin se vetëm 8 për qind e të rinjve gjejnë punë, ndërkohë që në treg pune paraqiten mbi 150 mijë të rinj. Folësi ka thënë se organizata e tij është duke punuar për marrëveshjen për lirimin e shërbimit të romingut, duke i futur në këtë marrëveshje, pos katër vendeve Ballkanike, edhe Shqipërinë dhe Kosovën. Ai e ka quajtur të rëndë për buxhetin familjar të qytetarëve të rajonit ta paguajnë romingun tetë herë më shtrenjtë se vendet e BE-së.
Panelisti i dytë, Matteo Rivellini, Udhëheqës i Divizionit për Ballkanin Perëndimor, nga Banka Evropiane e Investimeve, ka folur për rolin e investimeve ekonomike në Ballkanin Perëndimor, duke e quajtur atë huadhënësin dhe huamarrësin më të fuqishëm të BE-së. Ai ka pohuar se BIE gjatë vitit 2015 ka dhënë mbi 78 miliardë euro kredi dhe huadhënie. Ai ka pranuar se në vendet e Ballkanit Perëndimor banka ka investuar vetëm dy miliardë euro, duke u shprehur optimist se edhe Kosova, në një kohë jo të largët do të ketë qasje në këtë bankë.
Ai, ndërkaq, më shumë se vetë kreditë e ka quajtur të rëndësishme sjelljen investitorëve të tjerë në projektet e zhvillimit ekonomik të rajonit, e duke pohuar se BIE i kreditë e saj për projekte ekonomike i bashkon me grantet e Komisionit Evropian për këto destinime. Ai ka pranuar se kreditë në gjithë rajonin janë tepër të shtrenjta, ndërkaq i ka përçuar edhe ankesat e investitorëve për vështirësitë që hasin gjatë realizimit të projekteve investive, që nga mungesa e dokumentacionit valid kadastral, joefikasitetit qeveritar, korrupsionit etj.
Pas ekspozeve të paraqitura ka vazhduar diskutimi se si vendet e Ballkanit Perëndimor duhet t'i adresojnë sfidat në zhvillimin e tregjeve vendore dhe se si investimet e jashtme mund të ndihmojë në nxitjen e rritjes ekonomike dhe rrënimin e barrierave apo pengesave.
Sesioni VI i është kushtuar Ballkanit Perëndimor dhe sfidave të migracionit.
Paneslist i parë i këtij sesioni ishte Xhavit Haliti, nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, kryesues i Delegacionit të Kuvendit të Kosovës në AP të NATO-s. ka folur lidhur me përpjekjet për t'i trajtuar flukset e migrimit nga Kosova, duke pohuar se edhe ai vetë ishte mërgimtar në Evropën perëndimore, për shkak të presionit të regjimit serb, sikurse qindra e mijëra bashkëkombësve të tij.
"Të gjithë jemi dëshmitarë për valën migracionit, me të cilën është duke u përballur sot, jo vetëm Evropa Perëndimore, por pothuajse mbarë Evropa", ka thënë Haliti duke e vlerësuar valën e migracionit, si fluksin biblik të refugjatëve nga shtetet e Lindjes së Mesme dhe të Afrikës Veriore. Shumica e më shumë se 21 milionë refugjatëve, që numërohen sot në Botë. Ai, ndërkaq është shprehur se lëvizjet e vazhdueshme masive të migrantëve dhe refugjatëve, edhe kur nuk janë rrjedhojë e traumave politike, do të ekzistojnë dhe do të mbeten një problem global të cilat, kërkojnë angazhim të madh vendor e ndërkombëtar për t'i menaxhuar ato.
Ai ka folur migracioni në Kosovë , nëpër faza të ndryshme të historisë së saj, para e pas Luftës së Dytë Botërore, për shkak të presionit të vazhdueshëm të regjimit. Ai i ka falënderuar shtetet pritës dhe i ka shprehur mirënjohje sidomos NATO-s e cila, në vitin 1999, i dha fund depërtimit apo migracionit të dhunshëm masiv të shqiptarëve të Kosovës. Ai ka shprehu keqardhje pse Kosova vazhdon të përjetojë e të përballet me migrimin e qytetarëve të vet, duke përkujtuar se rreth dy vjet më parë, grupimet e qytetarëve, që synonin të shkonin me autobusë, përmes Serbisë, në vendet e BE-së, tronditën opinionin, gjithë institucionet e vendit, mekanizmat përkatëse të BE-së. Nga viti 2010 deri në qershor të 2016 nga Kosova për në vendet e Bashkimit Evropian kanë migruar rreth 142 mijë qytetarë.
Duke u përqendruar në atë se çka kanë ndërmarrë institucionet e Kosovës për pengimin e migrimit të qytetarëve tanë, Haliti ka përmendur Rezolutën kundër Migrimit Ilegal të Qytetarëve të Kosovës , një varg ligjesh të miratuara në Kuvend, si dhe dokumente të tjera strategjike nga ekzekutivi i vendit.
Në kuadër të politikave për menaxhimin e kufirit, institucionet e Kosovës, kanë përfunduar demarkacionin e kufirit me Maqedoninë, ndërsa me Malin e Zi është në proces, ka theksuar Haliti . Ai ndërkaq ka bërë publike edhe numrin e persona të arrestuar ( që prej vitit 2010) që merren me kontrabandimin e njerëzve. Haliti ka folur edhe për punën që institucionet e Kosovës së bashku me mekanizma ndërkombëtarë kanë është bërë, që nga viti 2000, që të krijojnë kushte për kthimin e serbëve dhe komuniteteve tjera në Kosovë, e duke dhënë edhe shifra të sakta të të kthyerve.
Duke folur për azilkërkuesit , ka pohuar se ata nuk qëndrojnë gjatë në Kosovë, pasi ikin për në vendet e Bashkimit Evropian. " Vlerësoj se me gjithë angazhimin e institucioneve, migrimi mbetët sfidë për Kosovën, sikurse edhe për shumë shtete në rajon, në Evropë dhe në Botë" e ka përmbyllur fjalën e tij, Haliti.
Panelistja e radhës, Susin Park, Zëvendës-përfaqësuese rajonale e UNHCR-it për Evropën Juglindore, ka folur për perspektivën rajonale të krizës së azilit migrimit në Ballkan. Ajo fillimisht e ka definuar dallimin ndërmjet emigrantëve dhe refugjatëve. Të parët largohen nga vendi për arsye ekonomike, të punësimit, shkollimit etj, kurse të dytët për shkak se ndjehen të rrezikuar nga lufta, konfliktet, apo urrejtja. Ajo ka sqaruar tutje se refugjatët janë të mbrojtur me të drejtën ndërkombëtare.
Park ka thënë se në botë ka 63 milion të zhvendosur nga zonat e luftërave, kurse vetën në të ashtuquajture Rrugë Ballkanike ,kanë kaluar një milion refugjatë. Ajo ndërkaq, pasi ka theksuar vështirësitë dhe problemet e shumta që sjellin refugjatët në vendet e strehimit dhe nëpër vendet kah kalojnë, është shprehur se refugjatët mund kenë edhe efekte pozitive ekonomike për shumë vende ku strehohen, sidomos për disa vende të BE-së, popullsia e të cilëve sa vjen e plaket e zvogëlohet në numër.
Panelisti i fundit, i sesionit ishte Luigi Achilli, hulumtues në Qendrën Robert Schuman për Studime të Avancuara, i cili ka folur për Sfidën e Migracionit, Ballkanin Perëndimor, dhe rrugën drejt zgjidhjes evropiane të këtij problemi.
Ai është ndalur në rrugëtimin e refugjatëve për në vendet ku do të ndjeheshin më të sigurt. Nga hulumtimet e tij rezulton se rrugëtimin e refugjatëve, në të shumtën e rasteve e organizojnë kontrabandistët, duke pohuar se kalimi i tyre nëpër Rrugën Ballkanike i ka kushtuar çdo refugjati mbi 150 euro. Ai ka thënë se kontrabandistët në Turqi kanë organizuar transportin nëpër detare të refugjatëve nga Lindja e Mesme deri tek ishujt grek."
Trafikantët , si kriminelë që synojnë vetëm përfitimin ekonomik, tashmë janë shndërruar në kartela profesionale të krimit", ka tërhequr vëmendjen Achilli. Ai ka pohuar gjithashtu se shumë nga kontrabandistët me refugjatë operojnë nën petkun e agjencive turistike. Ai si pjesë të zgjidhjes së problemit të refugjatëve ka theksuar investimet dhe përpjekjet për paqe në vendet e krizave, por edhe kombinim të masave kundër kontrabandistëve me njerëz. Ai, ndërkaq është angazhuar që të gjenden mundësi ligjore për pranim të refugjatëve, në mënyrë që të lehtësohet alkimi i tyre, bashkimi familjar etj.
Në përfundim të sesionit të pranishmit u kanë shtruar pyetje panelistëve, por edhe kanë dhënë informate e ide për problemin e refugjatëve, duke dhënë edhe shifra faktike për shpenzimet e shteteve të tyre për strehimin apo kalimin transit të tyre.
Seminari i AP të NATO-s, i përfundon punimet nesër.