Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale
E Mërkure, 19.10.2016
Komisioni për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, i drejtuar nga Flora Brovina, kryetare, në mbledhjen e sotme kishte për objekt, veç pikave të zakonshme, diskutim rreth titujve akademikë për punëtorët shëndetësorë, si dhe për ndarjen e specializimeve të profesionistëve shëndetësorë. Në këtë takim ishte i ftuar edhe një grup përfaqësuesish të Ministrisë së Shëndetësisë.
Gjatë diskutimit lidhur me titujt akademikë për punëtorët shëndetësorë, nga anëtarët e komisionit u kërkuan sqarime lidhur me problemet dhe pengesat e krijuara për studentët e mjekësisë të sistemit bachelor, të cilëve, në përfundim të studimeve nuk u jepet e drejta e punësimit në institucionet mjekësore.
Deputetët nga radhët e grupeve parlamentare në opozitë, e përqendruan diskutimin për specialistët e Neonatologjisë dhe specialistët e Biologjisë dhe Bio-kimisë.
Drita Zogaj, kryesuese e Bordit Qendror për Shkollim Specialistik, theksoi se specialiteti i Neonatologjisë është një degë e re e panjohur dhe nuk mund të merret licencë pa pasur të kryer edhe pediatrinë. Kurse, lidhur me specialistët e biologjisë dhe Bio-kimisë të cilët kërkojnë të punësohen patjetër në laboratorë e institucioneve mjekësore, nuk i kanë të plota lëndët klinike për tu licencuar. Por, problemi më i madh po del mosrakordimi midis institucioneve qendrore, përkatësisht Ministrisë së Arsimit dhe asaj të Shëndetësisë, pasi po hapen programe të reja profesionesh pa llogaritur saktë kapacitetet e mundshme të MSH-së për sistemimin e tyre të mëvonshëm.
Diskutimin për ndarjen e specializimeve të profesionistëve shëndetësorë, kryetarja e komisionit, Flora Brovina, e filloi me ankesat e shumta që i kanë ardhur komisionit rreth kritereve të vendosura në konkurrim, ankesat e shumta për parregullsi në vlerësime dhe nepotizëm. Edhe deputetët e tjerë kërkuan sqarime të hollësishme lidhur me këto probleme.
Kryesuesja e Bordit Qendror për Shkollim Specialistik, Drita Zogaj, pas shpjegimeve të shumta lidhur me procedurat ligjore të krijimit të Bordit dhe modaliteteve procedurale për konkurrimin, theksoi se lidhur me kriteret e vendosura kanë qenë të ekspozuar më shumë se një muaj dhe nuk ka pasur ankesa. Ajo bëri të ditur se për 250 vende kanë aplikuar 560 studentë. Ajo gjithashtu shtoi se ekziston konflikt midis numrit të madh të studentëve që aplikojnë dhe kapaciteteve të planifikuara nga Ministria e Shëndetësisë. Ajo përmendi rastin estomatologëve, ku ka kërkesa të mëdha për Stomatologji orale.
"Gjithashtu kemi pasur parasysh plotësimin e atyre nevojave që kanë lloje të ndryshme specializimesh, që ne i kemi të obliguara nga planifikimi", theksoi Zogaj.
Pas mbylljes së diskutimit, Komisioni vendosi të zhvillojnënjë takim me ministrin e Shëndetësisë, lidhur me angazhimet e tij rreth këtij problemi.