Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Integrime Evropiane
E Marte, 18.10.2016
Në mbledhjen e Komisionit për Integrime Evropiane, të kryesuar nga kryetarja e komisionit, Njomza Emini, ka raportuar sot ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni, lidhur me procesin e liberalizimit të vizave
Me këtë rast, ministri Hyseni, duke folur për zbatimin e MSA-së, tha se nga 113 masa të programit kombëtar për zbatimin e MSA-së, për të cilat kjo ministri është përgjegjëse, ka realizuar 24 plotësisht, ndërkaq 34 sosh janë në realizim e sipër , ndërkaq shtoi se 55 masa adresohen në vazhdimësi dhe raportohen përmes të dhënave statistikore.
Gjatë raportimit të tij ai ka folur edhe për marrëveshjet për ripranim dhe finalizimet e draft marrëveshjeve, për nënshkrimin e marrëveshjeve për bashkëpunim policor, plotësim-ndryshimet e ligjeve, ndërkaq tha se jemi në fazën e negocimit për memorandum- bashkëpunimi me Europolin.
Mes tjerash Hyseni tha se në procesin e liberalizimit të vizave pjesa dërmuese e kritereve që kanë dalur nga KE-ja kanë qenë për MPB-në dhe se udhërrëfyesi ka përmbajtur gjithsej 95 kritere dhe 164 veprime që dalin nga këto kritere. Prej tyre MPB-ja ishte përgjegjëse për përmbushjen e 70 kritereve dhe 113 veprimeve që dalin nga këto kritere.
Sipas ministrit Hyseni raporti i BE-së i cili rekomandon heqjen e vizave ka përmendur faktin se Kosova duhet të ratifikojë marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi dhe të forcojë historikun e lëndëve në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, kritere të cilat nuk janë të lidhura me MPB-në, por janë kritere që i ka vendosur KE-ja. "Sa i përket periudhës pas liberalizimit të vizave, MPB-ja do të ketë rol kyç në zbatimin e standardeve dhe kritereve që përcaktohen që do të jenë pjesë vendimit për heqjen e vizave", tha Hyseni.
Pas prezantimit të ministrit Hyseni, anëtarët e Komisionit, kërkuan sqarime të shumta për çështje të ndryshme, si: për çështjen e liberalizimit të vizave, MSA-në, migrimin ilegal, ngjarjet e Kumanovës, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, luftën kundër drogës, kontrabandën, vrasjet politike, kontrollin kufitar, luftimin e terrorizimit dhe ekstremizmit, çështjen e aplikimit për anëtarësim në Interpol, etj.