Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së
E Mërkure, 12.10.2016
Në Komisionin për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së, i kryesuar nga kryetari i komisionit, Daut Haradinaj, ka raportuar sot kryeshefi ekzekutiv i Inspektoratit Policor të Kosovës, Hilmi Mehmeti.
Gjatë këtij takimi kryeshefi ekzekutiv ka folur për të arriturat, sfidat dhe reformat në IPK, e që e kanë karakterizuar këtë institucion, për periudhën kohore janar-shtator 2016. "Në IPK gjatë periudhës janar-shtator është rritur numri i ankesave krahasuar me vitin paraprak", tha Mehmeti duke sqaruar se, gjatë kësaj periudhe ka pasur 1021 ankesa dhe se bazuar në këtë është bërë sensibilizimi i opinionit për paraqitjen e ankesave në IPK.
Sipas tij 622 nga këto ankesa janë kthyer në Drejtorinë e Standardeve Profesionale të Policisë së Kosovës për arsye se nuk janë gjetur vepra penale të zyrtarëve policor, ndërkaq ankesat tjera janë në departamentin e hetimeve.
Ai më tej ka folur edhe për strukturën organizative të departamenteve në IPK, ndërkaq sqaroi se ka formuar grupe pune për analizimin e legjislacionit sekondar brenda IPK-së.
Gjatë këtij takimi, kryetari i Komisionit Daut Haradinaj, dhe anëtarët: Ganimete Musliu, Rexhep Selimi, Anton Çuni, Qerim Bajrami, Zafir Berisha, Nuredin Ibishi,Fadil Demaku, si dhe deputeti Rrustem Berisha kanë kërkuar sqarime të shumta nga kreu i IPK-së.
U tha nga anëtarët e Komisionit se do të kërkojnë nga Ministria e Punëve të Brendshme, që të rrisë buxhetin për këtë institucion, si dhe të rregullohet çështja e lokacionit të IPK-së, kërkesë të cilën do ta drejtojnë tek Komuna e Prishtinës.
Deputetët ngritën çështje të ndryshme gjatë këtij takimi, me ç'rast kërkuan edhe sqarime rreth arrestimit të zyrtarit policor Nehat Thaqi, si dhe sqarime lidhur me Ligjin për Trafikun Rrugor, ndryshimet e udhëzimeve administrative në IPK, rreth Dhomës së Dëshmive në Prishtinë dhe Pejë, numrit të ankesave të qytetarëve etj.
Pas këtij takimi, anëtarët e Komisionit u dakorduan që gjatë javës së ardhshme të ftojnë për raportim Drejtorin e Policisë së Kosovës, lidhur me arrestimin e zyrtarit policor Nehat Thaqi.