Lajmet e fundit
Nga seanca e re plenare për miratimin e Ligji për Trepçën
E Shtune, 08.10.2016
Në orët e vona të mbrëmjes së sotme është mbajtur seancë e re e Kuvendit të Kosovës, drejtuar nga Kadri Veseli, kryetar, për të shqyrtuar për herë të dytë Projektligjin për Trepçën.
Raportin me rekomandime për të Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, si komision funksional , kompetent për ta amendamentojë projektligjin (pas shqyrtimit të parë), e ka paraqitur Muhamet Mustafa, kryetar i këtij komisioni. Ai ka theksuar amendamentet shkojnë në disa drejtime. Tri sish kanë të bëjnë me forcimin e rolit të Kuvendit lidhur me shfrytëzimin e pasurive minerare dhe transformimin e ndërmarrjes. Një amendament ka të bëjë me mënyrën e ndarjes së aksioneve, kurse një tjetër ka të bëj me mbetjet teknologjike. Një amendament ka të bëjë me asetet jashtë Kosovës, ka thënë Mustafa, duke shpjeguar se për te është autorizuar AKP-ja. Një amendament ka të bëjë me kërkesat e kreditorëve , duke vlerësuar se Trepça do të mbrohet më mirë. Ai ka shprehur keqardhje që përfaqësuesi serb, Sasha Millosavleviq nuk ka qenë i pranishëm në mbledhjen e komisionit, megjithëse kishte biseduar me te dhe e kishte ftuar edhe personalisht. Ai ka përfunduar paraqitjen e tij me konstatimin se Trepça do të jetë atraktive për investitorë të rinj.
Pas kësaj ka filluar shqyrtimi i amendamenteve të propozuara (21 sish) një nga një. Amendamentet kanë qenë të propozuara nga komisioni funksional, nga komisionet e përhershme të Kuvendit, nga Grupi Parlamentar i VV-së dhe nga deputeti Sabri Hamiti.
Në përfundim të seancës, me shumicë votash të deputetëve, është miratuar Ligji për Trepçën bashkë me amendamentet që paraprakisht patën marrë mbështetjen e deputetëve.