Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit Parlamentar për Stabilizim Asociim Kosovë BE
E Marte, 04.10.2016
Komisioni Parlamentar për Stabilizim Asociim, Kosovë - BE, në mbledhjen e sotme të kryesuar nga Xhavit Haliti, nënkryetar i Kuvendit, njëherësh edhe kryetar i këtij Komisioni, mbajti sot mbledhjen e radhës.
Me këtë rast, Komisioni diskutoi lidhur me përgatitjet e agjendës së takimit të dytë të Komisionit Parlamentar për Stabilizim Asociim, Kosovë - BE, i cili do të mbahet me datë 23 dhe 24 nëntor, në Bruksel.
Në fillim të këtij takimi, anëtarët e komisionit diskutuan lidhur me procesin e liberalizimit të vizave, ndërkaq, kryetari i komisionit Haliti, vuri në pah qëndrimin e përfaqësueseve të BE-së lidhur me këtë çështje.
Ai njoftoi se gjatë takimit që kishte pasur me zv. kryetaren e PE-së, Ulrike Lunaqek, me kryetarin e Komisionit të PE-së për Integrime Evropiane, Tonino Picula si dhe raportuesen e posaçme të Parlamentit Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën, Tanja Fajon, i është thënë se kushti i vetëm për Kosovën, e që lidhet me liberalizimin e vizave, është votimi i marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi.
Duke shprehur qëndrimin e tij lidhur me këtë, Haliti në vijim vlerësoi se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret, ndërkaq, e konsideroi të panevojshëm kushtëzimin e Kosovës me ratifikimin e marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi.
Për këtë çështje folën edhe anëtarët e tjerë të komisionit, ku u vunë re mospajtime të thella ndërmjet përfaqësuesëve të opozitës dhe të atyre të koalicionit qeverisës.
U vijua më pas me përgatitjet për takimin e radhës ndërmjet Komisionit Parlamentar për Stabilizim Asociim, Kosovë - BE.
Lidhur me këtë, Komisioni fillimisht i rekomandoi Qeverisë së Republikës së Kosovës që sa më shpejtë që të jetë e mundur të formojë Komitetin për MSA-në.
Po ashtu, Komisioni i rekomandoi Ministrisë së Punëve të Jashtme që të merret me rregullimin e Statusit Protokollarë të Komisionit Parlamentar për Stabilizim Asociim, Kosovë - BE.
Anëtarët e komisionit shprehën përkushtimin e tyre që në këtë takim të marrin pjesë sa më të përgatitur lidhur me temat që do të diskutohen me atë rast.