Lajmet e fundit
Kryetari Veseli merr pjesë në përurimin e shkollës në Opterushë të Rahovecit
E Premte, 30.09.2016
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, bashkë me ministrin, Arsim Bajrami dhe kryetarin e Rahovecit, Idriz Vehapin, bënë përurimin e shkollës në Opterushë, fshatit që dha kontribut të jashtëzakonshëm për lirinë e Kosovës. Kryetari i Kuvendit, në këtë solemnitet kushtuar hapjes së shkollës së re në këtë fshat, theksoi se arsimi përbën komponentën thelbësore të zhvillimit të shtetit dhe fuqizimit të tij. Ai me këtë rast, vuri në dukje rëndësinë e arsimit duke veçuar shtetndërtimin dhe përgatitjen e gjeneratave të reja.
"Gjeneratat e arsimuara dhe të aftësuara e ndryshojnë gjendjen e vendit duke e bërë me perspektivë, me të arritura dhe suksese që të jemi krenarë me shtetin tonë, krenarë me të kaluarën tonë, krenarë me të rinjtë tanë", theksoi kryeparlamentari Veseli.
Mësimdhënësit dhe nxënësit e fshatit Opterushë, nga sot, do të kenë kushte të përparuara për mësimdhënie e mësimnxënie dhe motivim për arritje më të mëdha në arsim. Ky fshat, ka katër dëshmorë dhe 27 martirë.