Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim rural, Ambient dhe Planifikim Hapësinor

E Enjte, 29.09.2016




Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim rural, Ambient dhe Planifikim Hapësinor, nën kryesimin e zonjës Duda Balje, ka mbajtur sot mbledhjen në të cilën si pikë e vetme e rendit të ditës ishte shqyrtimi i iniciativës së OJQ-së FIC lidhur me formalizimin e dislokimit të vendasve të fshatit Hade

Në këtë mbledhje, përveç anëtarëve të Komisionit, ishin pjesëmarrës edhe përfaqësues nga Ministria për ambient dhe planifikim hapësinor si dhe Ministria për zhvillim ekonomik; Avokati i popullit- z. Hilmi Jashari, z. Xhafer Gashi, - kryetar i Komunës Obiliq, z. Arben Gjukaj - drejtor i KEK-ut, përfaqësues nga USAID, KDI dhe drejtoresha e OJQ- FIC - z. Dajana Berisha, si dhe disa prej përfaqësueseve të fshatit Hade.

Në mbledhje, duke folur lidhur me dislokimin e vendasve të fshatit Hade, kryetarja e Komisionit, zonja Balje, ka theksuar se shpërngulja e parë e vendasve nga ky fshat ka filluar qysh në vitin 2004, dhe se me këtë shpërngulje janë përfshi, gjer tani, gjithsejtë 7.000 vendas, dhe se që nga ajo kohë e deri më sot nuk është bërë asgjë konkrete, dhe popullsia e gjithmbarshme nga ky fshat, nga gjithsejtë 150 shtëpi, është dashur që të dislokohen në një lokalitet tjetër, të cilin Komuna e Obiliqit, KEK-u dhe Ministria për ambient dhe planifikim hapësinor dhe Ministria për zhvillim ekonomik, e kishin përzgjedhur qysh më herët.


Në vazhdim të fjalimit kryetarja Balje pohoi se do të ishte mirë që mbledhja e sotme të përmbyllet me ndonjë konkluzion konkret ose me ndonjë rezolutë, e cila në një periudhë të mëvonshme do të dërgohej për miratim në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës.


Në vazhdim të takimit po thuaj të gjithë pjesëmarrësit prezent u pajtuan që banorët e këtij fshati janë lënë anash edhe më tutje jetojnë atë vendbanim ku ndotja e ajrit dhe gjurma është tepër e madhe, ku gjithashtu problemet ekonomike, sociale dhe ato të transportit janë mjaft të theksuara dhe se sa më parë duhet të krijohen kushtet e nevojshme në mënyrë që vendasit e mbetur të fshatit Hade, nga ato hapësira të shpërngulen në një lokacion të ri.

Me këto konstatime u pajtuan edhe përfaqësuesit e fshatit Hade të cilët, gjithashtu, kërkuan nga Qeveria e Kosovës, Ministria për ambient dhe planifikim hapësinor, Ministria për zhvillim ekonomik, KEK-u dhe Komuna e Obiliqit, që sa më parë të gjejnë mundësit që edhe ata qytetarë të cilët akoma kanë mbetur të jetojnë dhe punojnë në fshatin Hade, afro 150 shtëpi, sa më parë të shpërngulen në një lokalitet të ri, i cili lokalitet iu ishte premtuar dhe lejuar nga organet kompetente qysh më herët. Sepse në fshatin Hade, qytetarët e mbetur kanë probleme të mëdha edhe me furnizim të rregullt me rrymë, mungesën e ujit të pijshëm si dhe shumë probleme të tjera që e pamundësojnë jetën normale në këtë fshat.

Po ashtu, në këtë takim, lidhur me këtë temë, drejtori i KEK-ut Arben Gjuka ka theksuar se që nga viti 2009 nga fshati Hade janë shpërngulur më tepër se gjysma e banorëve, të cilët kanë jetuar dhe punuar në atë fshat, ndërsa deri në vitin 2024 duhet të bëhet dislokimi i tërësishëm i banorëve nga fshati Hade në një lokalitet të ri, i cili është i destinuar për banorët e këtij Fshati.


Avokati i Popullit, z. Jashari, theksoi që është e drejtë e çdo banori të Kosovës të ketë kushte të njëjta për jetë dhe punë, si dhe duhet krijuar kushte edhe për banorët e fshatit Hade që të jetojnë dhe punojnë në kushte normale.

Në fund të kësaj pike të rendit të ditës, anëtarët e Komisionit u pajtuan që sa më parë duhet që lidhur me këtë temë të mbahet mbledhja e Komisionit, dhe pastaj të hartohet një raport se çfarë duhet bërë për tejkalimin e kësaj situate komplekse dhe shumë të rëndë.

 

 

Nga mbledhja e Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim rural, Ambient dhe Planifikim Hapësinor