Lajmet e fundit
Komisioni për zhvillim ekonomik vizitoi Komunën e Obiliqit dhe KEK-un
E Enjte, 29.09.2016
Në kuadër tëaktiviteteve të tij, grupi i punës për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për miniera dhe minerale, kryesuar nga deputetja Sala Berisha - Shala, vizituan dje Komunën e Obiliqit dhe KEK-un.
Në komunën e Obiliqit, deputetët i priti kryetari i Komunës, z.Xhafer Gashi, i cili i njoftoi anëtarët e komisionit me problemet që është duke u ballafaquar komuna, si dhe anashkalimin në vazhdimësi që kësaj të fundit është duke ia bërë KEK-u.
Po ashtu, kryetari i komunës Gashi, i njoftoi edhe me përpjekjet dhe angazhimet e vazhdueshme nga ana e tyre për një bashkëpunim më serioz me KEK-un, ndërkaq, vuri në dukje se derimëtani, nuk kanë hasur në mirëkuptim nga ana e menaxhmentit të KEK-ut.
Duke mos anashkaluar Ligjin për miniera dhe minerale, tha më tej Gashi, ideja e nxjerrjes së Projektligjit për Obiliqin është zgjidhja e vetme e mbetur, prandaj nga deputetët, anëtarë të komisionit, ai kërkoi përkrahje për këtë projektligj.
Gjatë vizitës në KEK, ndërkaq, deputetët vizituan Divizionin e Prodhimit të Qymyrit, si dhe mihjet sipërfaqësore. Delegacioni është pritur nga drejtori menaxhuesi KEK-ut Arben Gjukaj, me bashkëpunëtorë.
Gjukaj me këtë rast ka njoftuar deputetët për prodhimin dhe stabilitetin energjetik në vend, për të cilin tha se po bëhet falë punës së palodhshme të punëtorëve të kësaj korporate.Ai vuri në dukje mangësitë ligjore në këtë sektordhe sfidat e përditshme me të cilat ballafaqohet KEK-u.
Në anën tjetër, deputetët u shprehën të gatshëm për përkrahjen e komunës së Obiliqit dhe KEK-ut, e me theks të veçantë në fushën legjislacionit.
Ata kërkuan nga Komuna dhe menaxhmenti i KEK-ut, ti bëjnë të gjitha vërejtjet nëLigjin për miniera dhe minerale dhe sa më parë t'i dërgohen Komisionit, i cili do t'i analizojë dhe në varësi të arsyetimit do t'i procedojë në Kuvend për miratim.