Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës
E Hënë, 26.09.2016
Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, e kryesuar nga Kadri Veseli, kryetar, në të cilën morën pjesë edhe shefat e grupeve parlamentare, mbajti sot mbledhjen e radhës, në të cilën përcaktoi rendin e ditës për seancën plenare të Kuvendit, e cila do të mbahet më 29 shtator 2016, në orën 10:00.
Pas deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare, në rend dite të kësaj seance, Kryesia vendosi që të jetë: Interpelanca e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, sipas kërkesës së deputetit Visar Ymeri, i mbështetur edhe nga 7 deputetë nënshkrues, në lidhje me Kodin Telefonik Shtetëror të Republikës së Kosovës.
Po ashtu, në këtë seancë, është paraparë edhe interpelanca tjetër e kryeministrit Mustafa, sipas kërkesës së deputetit Ismajl Kurteshi, i mbështetur edhe nga 10 deputetë nënshkrues, në lidhje me situatën aktuale politike në pjesën veriore të Republikës së Kosovës.
Seanca do të vijojë me shqyrtimin e dy Propozim-vendimeve të Qeverisë së Republikës së Kosovës, sipas të cilit konstatohet interesi publik për lëshimin e licencës për hulumtim për dy kompani: atë të kompanisë "Envidity Energy Kosova LLC", si dhe vendimin lidhur me projektin e kompanisë "Sharr Cem dhe Titan America".
Në këtë mbledhje, Kuvendi do të zgjedhë edhe një (1) anëtar të Këshillit Prokurial të Kosovës, ndërkaq, sipas kërkesës së Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, do të shqyrtohet edhe Projektligji për investimet strategjike në Republikën e Kosovës.