Lajmet e fundit

Përfaqësues të dy komisioneve takuan mbrëmë drejtorin në MPJ-në e Sllovenisë, Lovrençiç

E Premte, 23.09.2016




Përfaqësuesit e Komisionit për Punë të Jashtme Komisionit dhe atij për Integrime Evropiane, Elmi Reçica e Njomza Emini , kryetarë komisionesh dhe deputeti Zafir Berisha e Valdete Bajrami, anëtarë, kanë pritur mbrëmë drejtorin politik në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Sllovenisë, Tomazh Lovrençiç, me të cilin kanë biseduar lidhur me bashkëpunimin e ndërsjellë ndërmjet dy vendeve  dhe përvojat sllovene në procesin e integrimeve evropiane.


Deputeti Elmi Reçica, i cili e ka drejtuar takimin, ka falënderuar shtetin slloven për mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë Kosovës, duke u shprehur i bindur se institucionet e larta të Sllovenisë do të avokojnë për njohjen e Kosovës nga pesë vendet e mbetura të BE-së dhe për anëtarësimin e vendit tonë në institucione ndërkombëtare. Njomëza Emini, ndërkaq, i ka vlerësuar shumë të rëndësishme përvojat sllovene në procesin e integrimeve evropiane, duke kërkuar që Kosova të ndihmohet në këtë rrugëtim evropian të saj, sidomos për sa i përket liberalizimit të vizave nga vendet e BE-së për qytetarët tanë.


Drejtori politik në Ministrinë e Punëve të jashtme të Sllovenisë, Tomazh Lovrençiç, duke i vlerësuar të shkëlqyeshme marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve, ua ka bërë të ditur nikoqirëve se është i interesuar që të dijë më shumë për zhvillimet në Kosovë, sidomos për atë se çka ka bërë dhe po bëjnë institucionet e vendit tonë për emigracionin dhe luftën kundër terrorizmit. Ai ka pohuar se informacioni i saktë për këto dhe çështje tjera të zhvillimeve në Kosovë, do t'u nevojiten shumë institucioneve të vendit të tij për ta mbështetur Kosovën në realizimin e synimeve të ligjshme për integrime evropiane dhe rajonale, si dhe për anëtarësim në mekanizmat e synuar ndërkombëtarë (në BE, në OKB e në NATO). Ai i ka vlerësuar pozitive praninë e bizneseve sllovene në Kosovë dhe investimet ekonomike në rritje të vendit të tij këtu.


Kryesuesi i takimit, Reçica, por edhe deputetët e tjerë të pranishëm: Emini, Berisha e Bajrami, kanë theksuar se nuk ka dallime ndërmjet pozitës dhe opozitës sa i përket rrugës evropiane të Kosovës, krijimit të kushteve të favorshme për jetë të dinjitetshme të qytetarëve tanë në vendin e tyre, si dhe luftës kundër terrorizmit.

Ata kanë theksuar se Kuvendi i Kosovës ka nxjerrë ligj të veçantë që sanksionon pjesëmarrjen e qytetarëve tanë në luftëra dhe konflikte jashtë vendit, si dhe për anëtarësim në organizatat terroriste. Ndaj, si rezultat i punës së përkushtuar të institucioneve, është pakësuar në mënyrë të ndjeshme prania e qytetarëve nga Kosova në konfliktet e vendeve të Lindjes së Afërme dhe të asaj të Mesme. Jemi shumë të interesuar që Kosova të eksportojë paqe dhe miqësi ndërmjet popujve dhe të kemi një zhvillim të përshpejtuar shoqëror dhe ekonomik, në mënyrë që t'i tejkalojmë shekujt e shtypjes dhe të prapambeturisë, e të bëhemi pjesë e Evropës që i takojmë, jo vetëm gjeografikisht, kanë theksuar deputetët nikoqirë.

Përfaqësues të dy komisioneve takuan mbrëmë drejtorin në MPJ-në e Sllovenisë, LovrençiçPërfaqësues të dy komisioneve takuan mbrëmë drejtorin në MPJ-në e Sllovenisë, Lovrençiç