Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Kuvendit

E Enjte, 22.09.2016




Kuvendi i Kosovës mbajti sot mbledhjen e parë plenare të sesionit vjeshtor.


Në këtë mbledhje e cila nisi nën kryesimin e kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli, deputetët fillimisht shteruan dy pikat e përhershme të mbledhjeve plenare: deklarime jashtë rendit të ditës dhe pyetje parlamentare.


Me këtë rast u ngritën një varg çështjesh dhe shqetësimesh nga deputetët, ndërkaq, pyetjeve parlamentare iu përgjigjen anëtarët e kabinetit qeveritar, përkatësisht: ministri i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, ai i Ministrisë së Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë Arsim Bajrami, si dhe ministres Edita Tahiri.


Pas kësaj, mbledhja vijoi nën kryesimin e nënkryetarit të Kuvendit Xhavit Haliti, me shqyrtimin në parim të Projektligjit nr.05/L-116 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.04/L-101 për fondet pensionale të Kosovës, i ndryshuar dhe i plotësuar me Ligjin nr.04/L-115, si dhe me Ligjin nr.04/L-168.


Këtë Projektligj para deputetëve e paraqiti dhe arsyetoi ministri i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, i cili vuri në spikamë ndryshimet që sjell ky Projektligj.


Lidhur me këtë, u deklaruan shefat e grupeve parlamentare dhe kryetari i Komisionit për Buxhet dhe Financa, të cilët e përkrahën në parim projektligjin, ndërkaq, kundër tij u deklaruan deputetët e VV-së.
Më pas, Projektligji u hodh në votim dhe deputetët me shumicë votash e përkrahën në parim.


U përkrah në parim nga të gjitha grupet parlamentare edhe Projektligji nr.05/L-114 për Inspektoratin e Arsimit në Republikën e Kosovës, të cilin e paraqiti ministri i Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami.


Gjatë debatit lidhur me këtë projektligj folën edhe nënkryetarët e Kuvendit, Xhavit Haliti e Sabri Hamiti.
Nënkryetari Haliti u shpreh se duhet ndryshuar dispozita ligjore e projektligjit sipas së cilës përcaktohet roli i kryetarëve të komunave në emërimin e drejtorëve të shkollave në nivelin para universitar të arsimit. Sipas tij, drejtorët duhet të zgjedhen nga Këshilli i prindërve dhe stafi profesional i shkollës, ndërkaq, nënkryetari Hamiti, foli për rolin që duhet të ketë Inspektorati i Arsimit. Ai u angazhua që të fuqizohet roli i Inspektoratit në të gjitha nivelet e arsimit.


Është vijuar më pas me shqyrtimin e Raportit vjetor të Autoritetit Rregullator të Komunikimeve Elektronike dhe Postare për vitin 2015.


Këtë raport e paraqiti nënkryetari i dytë i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, Sasha Milosavleviç.


Me këtë rast ai paraqiti edhe pesë rekomandimet e Komisionit lidhur me këtë raport, të cilat, pas debatit u përkrahën dhe u miratuan nga deputetët.


Pas kësaj deputetët formuan dy komisione ad hoc: komisionin për përzgjedhjen e një anëtari të Komisionit të Pavarur për Media, si dhe Komisionin ad-hoc për përzgjedhjen e dy anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës.


Me këtë rast, Lëvizja Vetëvendosje, me arsyetimin se RTK është e ndikuar nga Qeveria dhe e njëanshme në informim, vendosi që të mos propozojë anëtar në këtë Komision.


Në fund të mbledhjes së sotme, deputetët miratuan edhe propozimet e GP të PDK-së dhe atij të AAK-së për zëvendësimin e anëtarëve në komisionet parlamentare.


Në mungesë koorumi për vendimmarrje, ndërkaq, është shtyrë për mbledhjen e radhës emërimi i një anëtari në Komisionin për Kërkesa Pronësore.

Nga mbledhja e Kuvendit Nga mbledhja e Kuvendit Nga mbledhja e Kuvendit Nga mbledhja e Kuvendit