Lajmet e fundit
Fjala e deputetes Sala Berisha- Shala në varrimin e ish deputetit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Heset Cakolli
E Premte, 16.09.2016
E nderuara Familje e Profesor Cakollit,
Të nderuar profesorë dhe pedagogë të Universitetit të Prishtinës,
Kolegë të nderuar deputetë, ish-bashkëpunëtorë të Profesorit Heset Cakolli,
Lajmi për vdekjen e ish-kolegut deputet, Heset Cakolli, na ka goditur të gjithëve. Ikja e tij e hershme dhe kaq e papritur, që nga dita e djeshme, na ka mbushur me trishtim, prandaj dhe sot para jush unë e kam shumë të vështirë të flas. Sidoqoftë, më lejoni në fillim që në emër të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, t'ua shpreh ngushëllimet më të thella anëtarëve të familjes Cakolli dhe t'u them se, profesor Heset Cakolli do të jetojë gjatë në kujtesën e të gjallëve - si profesor dhe intelektual me dinjitet të lartë njerëzor e kombëtar, dhe si përfaqësues i popullit në Kuvendin e Kosovës, në periudhën më të bujshme historike të tij.
Ne ish-kolegët e tij deputetë të Kuvendit të Kosovës, e kujtojmë dhe e nderojmë profesor Heset Cakollin si një shembull ekzemplar i përkushtimit në punë, i përgjegjshmërisë së lartë politike dhe kombëtare në punët shtetërore; e kujtojmë dhe nderojmë për këmbëngulësinë dhe për guximin intelektual për t'iu rrekur njëherësh dhe pa dilema, të gjitha sfidave të shoqërisë.
E nderuara Familje e Profesor Cakollit,
Të qenit deputet në Kuvendin e Kosovës për Heset Cakollin, përveç përgjegjësi qytetare, ka qenë edhe mision historik, duke qenë se Legjislatura e Tretë, në të cilin ai ishte deputet, e përgatiti dhe e shpalli Pavarësinë e Kosovës më 17 Shkurt të vitit 2008. Sot, në ditën kur po ndahemi përgjithmonë prej Profesor Heset Cakollit, ne e kujtojmë atë me shumë respekt, e kujtojmë për entuziazmin dhe gëzimin e tij të papërmbajtshëm në ditën e madhe të Pavarësisë së Kosovës, si dhe hovin e pandalshëm që kishte, për ndërtimin e shtetit, për ta bërë atë të barabartë në mesin e vendeve të zhvilluara të botës.
Urtësia dhe modestia, ishin virtytet qe e karakterizonin personalitetin e Tij.
Këto virtyte i harmonizonte me përgatitjen profesionale dhe në mënyrën me te mirë i vente në shërbim të përgjegjësive që iu ishin dhënë nga qytetarët.
Në Kuvendin e Republikës se Kosovës dhe mekanizmat e tij, Heseti dha një kontribut të çmuar. Ishte një bashkëpunëtor konstruktiv me të gjithë kolegët deputet. Argumentet ishin zëri me i fuqishëm i Tij. Çdo çështje e trajtonte sinqerisht dhe me seriozitet duke lënë anash kufijtë ndarës partiak.
Nga ana tjetër, me përvojën e gjatë si mësimdhënës profesor Heset Cakolli, në Kuvendin e Republikës së Kosovës, mishëroi dhe shkriu në një, disiplinën akademike dhe përkushtimin politik e kombëtar. Askush më mirë se profesor Cakolli nuk ka dëshmuar se, më në fund - partia është një hiçgjë para fatit të shtetit dhe kombit.
Të nderuar pjesëmarrës të këtij komemoracioni,
Përkushtimi i Heset Cakollit ka qenë shembull në Kuvendin e Kosovës, shëmbëlltyrë e cila edhe e vulosi orën e fundit të tij në këtë botë, duke ikur në të përtejshmen, në krye të detyrës së tij fisnike prej pedagogu.
Një vdekje kaq fisnike rrallëkush mund ta bëj!
Qoftë i përjetshëm kujtimi për Profesor Heset Cakollin!