Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit
E Marte, 13.09.2016
Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, të kryesuar nga kryetarja e Komisionit, Albulena Haxhiu, u shqyrtua raporti i punës së Komisionit për sesionin pranveror 2016. Me këtë rast, Haxhiu vlerësoi se gjatë këtij sesioni nuk është arritur të ketë mbikëqyrje të zbatimit të ligjeve që bien në fushëveprimtarinë e Komisionit dhe se kanë munguar vizitat nëpër institucionet e pavarura. Ndërkaq, anëtari i komisionit, Armend Zemaj, sa i përket mungesës së mbikëqyrjes së zbatimit të ligjeve, tha se kjo çështje duhet të përfshihet në plan të punës në mënyrë që të rishikohen mangësitë në zbatimin e legjislacionit të ri dhe të identifikohen pengesat në këtë pikë.
Nënkryetarja e Komisionit, Selvije Halimi, tha se angazhimi i deputetëve gjatë këtij sesioni është për tu lavdëruar, duke pasur parasysh rrethanat nëpër të cilat kanë kaluar ata. Ndërkaq , shtoi se anëtarët e komisionit duhet të punojnë në mënyrë më intensive gjatë sesionit vjeshtor.
Pas një diskutimi të gjerë të deputetëve lidhur me këtë çështje, raporti i punës së Komisionit për sesionin pranveror 2016, mori mbështetjen e tyre.
Në vijim anëtarët e Komisionit u dakorduan që shqyrtimi i propozimeve për anëtarë të Këshillit Prokurorial të Kosovës nga shoqëria civile, të shtyhet për një mbledhje tjetër të radhës, ndërkaq, u përkrah propozimi për emërimin e anëtarit, Avdullah Aliu, në Komisionin për kërkesa pronësore.
Sa i përket shqyrtimit të shkresës së dërguar nga Avokatura Shtetërore, Komisioni u dakordua që për këtë çështje t'i drejtohet me një rekomandim ministres së Ministrisë së Drejtësisë, ndërsa në vijim kanë përkrahur raportin me amendamente në Projektligjin nr. 05/L-047 për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit nr. 04/L-065 për të Drejtat e Autorit dhe të Drejtat e përafërta, si dhe raportin me amendamente në Projektligjin nr. 05/L-24 për Shërbimin Mjekësor Emergjent.
Komisioni po ashtu u dakordua që më datën 26 tetor të ftohet për raportim në Komision, ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha.