Lajmet e fundit
Nga mbledhja plenare e Kuvendit
E Enjte, 01.09.2016
Mbledhja e sotme e Kuvendit të Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryetari Kadri Veseli, filloi me betimin e deputetes Kimete Bytyqi, e cila zëvendëson ish-deputeten Alma Lama, nga grupi parlamentar i LDK-së.
Deputetët filluan me pikën e zakonshme, deklarime jashtë rendit të ditës, ndërkaq në pyetjet parlamentare u përgjigjën ministrat: Skender Hyseni dhe Dhurata Hoxha.
Në vazhdim, kreu i Kuvendit, Veseli, njoftoi se Grupi Parlamentar i Vetëvendosjes, në cilësi të kërkuesit, ka tërhequr dy interpelancat e kërkuara, të radhitura në seancën e sotme.
Më pas, kryeministri Isa Mustafa, në emër të qeverisë, bëri të ditur po ashtu, se tërheq nga rendi i ditës dhe nga procedura parlamentare, Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi.
Në deklarimin e tij para deputetëve, kryeministri Mustafa konsideroi se sot nuk janë rrethanat për ratifikimin e këtij projektligji.
"Qeveria e tërheq sot këtë projektligj nga rendi i ditës dhe procedura kuvendore. Do të mundohemi të arrijmë një qëndrim të përbashkët lidhur me ligjin, sepse konsideroj që nuk është në rregull që ta trajtojmë atë në situatën kur kemi presione dhe kërcënime, si dhe kur një grup parlamentar kushtëzon votimin e këtij ligji me koncesione. Nuk dëshirojmë të bëjmë asnjë koncesion për një ligj, i cili përcakton sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës. Tërheqja e këtij ligji nuk nënkupton që ne do ta rishqyrtojmë ose rinegociojmë marrëveshjen, por do të diskutojmë dhe do ta procedojmë në Kuvend, në momentin që vlerëson qeveria", theksoi kryeministri Mustafa.
Në vazhdim, qëndrimet e tyre përkitazi me këtë çështje, i paraqitën edhe përfaqësuesit e grupeve parlamentare.
Në emër të GP të AAK-së, deputeti Daut Haradinaj, duke u ndërlidhur me tërheqjen e projektligjit nga ana e qeverisë, tha se për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare nuk nevojitet shumica e dyfishtë e deputetëve. Ai tha se Kuvendi nuk duhet të kushtëzohet nga qëndrimi i Listës serbe.
"Këtu në sallë jemi më shumë se 100 deputetë. Kështu që kjo nuk qëndron. Është krejt diçka tjetër fakti se atë marrëveshje e kemi konstatuar si të padrejtë dhe të pasaktë", theksoi Haradinaj.
Deputeti Fatmir Limaj nga GP i Nismës, tha se tërheqja e projektligjit është e paarsyetuar.
"Pse po tërhiqet sot ky ligj, i cili për me tepër se një vit është në pritje? Arsyetimi se një grup parlamentar nuk është prezent dhe po na kushtëzon, është i paqëndrueshëm, sepse Parlamenti nuk mund të kushtëzohet nga një grup parlamentar. Ka kuorum për të proceduar dhe grupi i deputeteve është i mjaftueshëm", theksoi Limaj.
Kryetari i GP të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, tha se këtë demarkacion, sipas tij, kaq të gabueshëm, asgjë nuk e përshkruan më mirë se sa largimi i kryeministrit nga salla, duke e konfirmuar, siç tha ai, dështimin e këtij demarkacioni në Kuvend.
"Këtë nuk e konsideroj tërheqje, por një votim", tha Konjufca, duke ia atribuuar për këtë meritën pesë faktorëve: popullit, i cili, sipas tij, është i pakënaqur me këtë demarkacion, ekspertëve të pavarur, aktivistëve të ndryshëm, disa deputetëve të grupeve parlamentare në pozitë, si dhe opozitës.
Kryetari i GP të PDK-së, Zenun Pajaziti, kërkoi fillimisht nga deputetët që të respektojnë rregulloren e punës së Kuvendit. Në vazhdim, ai prezantoi qëndrimin e grupit parlamentar që drejton, në mbështetje të qëndrimit të kryeministrit, përkitazi me tërheqjen e projektligjit nga rendi i ditës.
"Ftoj të gjitha grupet politike dhe etnike që të krijojnë kushte, pa presione dhe kushtëzime, për trajtimin e kësaj çështjeje dhe çështjeve të tjera me interes të vendit", theksoi deputeti Pajaziti.
Kryetari i GP të LDK-së, Ismet Beqiri, e konsideroi të drejtë të kryeministrit tërheqjen e pikave të rendit të ditës nga punimet e Kuvendit, të propozuara nga qeveria.
"Mënyra e tërheqjes dikujt mund të mos i pëlqej, por kryeministri i tha arsyet se përse duhet të tërhiqet Projektligji për demarkacionin", theksoi Beqiri, duke iu përgjigjur, njëkohësisht, deputetëve të opozitës lidhur me qëndrimin e disa deputetëve nga radhët e LDK-së përkitazi me demarkacionin.
Qëndrimet e tyre i paraqitën edhe deputetët pa grup parlamentar, Shaip Muja dhe Gëzim Kelmendi.
Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, bëri të ditur se kjo seancë shënon edhe përfundimin se sesionit pranveror të Kuvendit, ndërsa sesioni i ri do të fillojë konform rregullores së Kuvendit.