Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Veseli dënon ashpër sulmin ndaj RTK-së
E Marte, 23.08.2016
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli ka dënuar sot ashpër sulmin e mbrëmshëm ndaj Radio Televizionit të Kosovës.
Në reagimin e kryeparlamentarit Veseli thuhet:
"Hedhja e mjetit shpërthyes mbi Radio Televizionin e Kosovës, përbën një veprim kriminal që në vazhdën e veprimeve të ngjashme të kohëve të fundit, synon të cenojë rendin publik, sigurinë e qytetarëve dhe zyrtarëve të institucioneve publike.
Ne jemi shtet demokratik dhe nuk mund të lejojmë asnjëherë që dhuna dhe metodat e frikësimit të ndikojnë në agjendën shtetërore, debatin politik dhe lirinë e mediave", thuhet në reagimin e kryeparlamentarit Veseli.
Kuvendi i Republikës së Kosovës fton organet e drejtësisë që përgjegjësit e këtij sulmi mbi transmetuesin publik të sillen para organeve të drejtësisë dhe marrin dënimin e merituar".