Lajmet e fundit
Vazhdimi i mbledhjes plenare
E Premte, 05.08.2016
Në vazhdimin e mbledhjes së Kuvendit të Republikës së Kosovës, të kryesuar nga kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, (një pjesë u kryesua nga nënkryetari Xhavit Haliti) deputetët para fillimit të diskutimit për pikat e rendit të ditës, diskutuan lidhur me sulmin e mbrëmshëm mbi Kuvendin e Kosovës, të cilët fillimisht shprehën shqetësimin e tyre, duke e dënuar ashpër këtë akt.
Kryekuvendari Veseli theksoi se si deputetë, duhet përçuar mesazhi te qytetarët e Republikës së Kosovës për maturi dhe siguri. Për këtë arsye, kryetari Veseli tha se të gjitha forcat politike të përfaqësuara në Kuvend do të bëjnë një deklaratë të përbashkët, për dënimin e këtij akti kriminal.
"Kjo deklaratë do të miratohet nga kuvendarët dhe është përgatitur nga kryetarët e grupeve parlamentare", sqaroi kryetari Veseli.
Gjatë diskutimeve, deputetët dënuan ashpër këtë sulm kriminal, duke e cilësuar atë akt qyqar, ndërsa u kërkua që deklarata politike të jetë e unifikuar. Disa nga deputetët vlerësuan se lidhur me këtë sulm, është dashur që të informohen zyrtarisht nga ministri i Punëve të Brendshme.
Pas diskutimeve të deputetëve dhe harmonizimit të tekstit nga ana e përfaqësuesve të grupeve parlamentare, Kuvendi miratoi deklaratën, të cilën e lexoi deputetja Blerta Deliu-Kodra, me këtë përmbajtje:
"Ne, përfaqësuesit e zgjedhur të popullit, dënojmë fuqishëm sulmin kriminal të kryer mbrëmë mbi Kuvendin e Republikës së Kosovës. Ky është një sulm kundër shtetit të Kosovës, interesave të qytetarëve tanë dhe kundër qëllimeve e vlerave politike dhe demokratike që afirmojnë subjektet tona politike.
Kërkojmë nga institucionet e sigurisë që të ndërmarrin masat e duhura dhe sa më parë të zbardhin këtë sulm qyqar, ndërsa kriminelët të vihen para drejtësisë.
Kuvendi i Republikës së Kosovës, po ashtu, u bën thirrje të gjithë qytetarëve të vendit që të bashkëpunojnë dhe të ndihmojnë organet e drejtësisë në zbardhjen e këtij akti kriminal".
Në vijim deputetët përkrahën në parim Projektligjin për performancën energjetike në ndërtesa, Projektligjin për mbrojtjen e fëmijës dhe Projektligjin për kamatëvonesat në transaksionet tregtare, për të cilat debati ishte shterur dje.
Kuvendi, po ashtu miratoi Projektligjin për kundërvajtje, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për aftësimin, riaftësimin profesional dhe punësimin e personave me aftësi të kufizuara, si dhe Projektligjin për rregullat e komunikacionit rrugor.
Tutje, u shqyrtuan dhe u miratuan tri raporte: raporti vjetor i Qeverisë së Republikës së Kosovës për funksionimin e Sistemit të Kontrollit të Brendshëm të Financave Publike në Sektorin Publik të Kosovës për vitin 2015, të cilin e paraqiti ministri Avdullah Hoti, raporti i Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për vitin 2015, si dhe raporti i Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione lidhur me mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit nr. 03/L-182 për mbrojtje nga dhuna në familje.
Deputetët përkrahen edhe propozimin e GP të PDK-së për zëvendësimin e anëtarëve në komisionet parlamentare.