Lajmet e fundit
Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka dënuar sulmin mbi ndërtesën e Kuvendit
E Premte, 05.08.2016
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka dënuar sulmin e mbrëmshëm mbi objektin e Kuvendit, duke theksuar se ky akt përbën një sulm kriminal, me elemente të veprimit terrorist, i drejtuar kundër institucioneve dhe popullit të Kosovës.
Kryekuvendari Veseli ka kërkuar nga forcat politike në vend që të distancohen qartë nga veprimet të tilla që duan të destabilizojnë vendin dhe të motivojnë edhe më shumë ata që janë kundër shtetit të Kosovës.
"Sulmi i mbrëmshëm mbi Kuvendin e Republikës së Kosovës përbën një sulm kriminal, me elemente të veprimit terrorist, i drejtuar kundër institucioneve dhe popullit të Kosovës.
Si motivuesit, ashtu edhe kryesit e këtij sulmi tinzar, duhet ta kenë të qartë se asnjë formë e dhunës, as metodat e frikësimit, nuk do të munden kurrë të ndalojnë agjendën e fuqizimit dhe konsolidimit të shtetit tonë.
Ftoj të gjitha forcat politike në vend që të distancohen qartë nga veprime të tilla që duan të destabilizojnë vendin dhe të motivojnë edhe më shumë ata që janë kundër shtetit të Kosovës.
Ne, së bashku e kemi ndërtuar këtë shtet, së bashku duhet ta mbrojmë, ta zhvillojmë e fuqizojmë" ka thënë kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, duke ftuar qytetarët e Kosovës që të kenë besim në institucionet e vendit, në kapacitetet e tyre për të garantuar rendin, sigurinë dhe sundimin e ligjit në vend.