Lajmet e fundit

Mbledhja plenare e Kuvendit

E Enjte, 04.08.2016




Mbledhja e sotme e Kuvendit të Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli (pjesë të saj u kryesuan nga nënkryetarët Xhavit Haliti dhe Fikrim Damka), filloi me pikën e zakonshme, deklarime jashtë rendit të ditës, ndërkaq në pyetjet e deputetëve u përgjigjën ministrat: Lutfi Zharku, Enver Hoxhaj, Imet Rrahmani dhe Arsim Bajrami.

Shqyrtimi i Projektligjit për Kinematografinë u hoq nga rendi i ditës nga mbledhja e sotme plenare, me kërkesë të ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala.

Në vijim, deputetët kanë përkrahur edhe propozimin e kryetarit të Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, Muhamet Mustafa, që të plotësohet rendi i ditës së mbledhjes së sotme me dy pika shtesë: shqyrtimi i parë i Projektligjit për kamatëvonesat në transaksionet tregtare, si dhe shqyrtimi i dytë i Projektligjit për rregullat e komunikacionit rrugor.

Po ashtu, u miratua edhe propozimi i kryetarit të Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Sport, Nait Hasani, për shmangie nga Rregullorja e Kuvendit për shqyrtimin e Projektligjit për Ratifikimin e Memorandumit të Mirëkuptimit ndërmjet Ambasadës së SHBA-ve në Prishtinë dhe Ministrisë së Arsimit , Shkencës dhe Teknologjisë të Republikës së Kosovës, Programi Fulbright i Shkëmbimit Akademik.

Projektligjin e prezantoi ministri i Arsimit, Arsim Bajrami, i cili para deputetëve shkoqiti aspekte përmbajtësore të tij.

Pas shqyrtimit të tij, Projektligji për Ratifikimin e Memorandumit të Mirëkuptimit ndërmjet Ambasadës së SHBA-ve në Prishtinë dhe Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë të Kosovës, Programi Fulbright i Shkëmbimit Akademik, u miratua njëzëri nga deputetët e Kuvendit.

Deputetët, po ashtu miratuan Raportin vjetor të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës për vitin 2015, si dhe Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Unicredit Bank Austria AG për financimin e Projektit të modernizimit të shërbimeve të Kardiologjisë Invazive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Tutje, Kuvendi shqyrtoi Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes përkitazi me themelimin e Fondit të Ballkanit Perëndimor, të cilin e paraqiti dhe e arsyetoi ministri i punëve të jashtme, Enver Hoxhaj. Mes tjerash, ai sqaroi se selia e këtij fondi do të jetë e vendosur në Tiranë dhe se ky fond i Ballkanit Perëndimor ka për qëllim të mbështesë bashkëpunimin rajonal në tërësi, forcimin e lidhjeve mes shteteve të Ballkanit Perëndimor, integrimin evropian të këtij rajoni, si dhe të mbështesë projekte konkrete të përbashkëta. Sipas tij, kjo do të promovojë dhe zhvillojë bashkëpunimin kulturor dhe mbështesë shkëmbimin akademik, hulumtimet dhe kërkimet shkencore në fusha të ndryshme, shkëmbimin e përvojave mes të rinjve të Ballkanit Perëndimor, si dhe zhvillim të qëndrueshëm ekonomik. Ky projektligj nuk mori votat e mjaftueshme të deputetëve për miratim.

Në vazhdim, u shqyrtua dhe u përkrah edhe Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes Financiare ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për Projektin e Rehabilitimit të Linjës Hekurudhore 10, të cilin e prezantoi ministri i Financave Avdullah Hoti, i cili paraqiti rëndësinë e marrëveshjes së këtij projekti, duke theksuar faktin se kjo marrëveshje paraqet investimin me të madh që është bërë deri më tani në hekurudhën e Kosovës.

Përkrahje mori edhe Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes së Garancisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për Projektin e Trafikut Urban.

Më pas, Kuvendi shqyrtoi për herë të parë Projektligjin për performancën energjetike në ndërtesa dhe atë për mbrojtjen e fëmijës. Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, tha se Projektligji për mbrojtjen e fëmijës

ka për qëllim të mbrojë fëmijët nga të gjitha format e dhunës, keqpërdorimit dhe shfrytëzimit të tij, apo çfarëdo forme tjetër që vejnë në rrezik jetën e tij.

Në emër të komisionit funksional, kryetarja Lirie Kajtazi i dha mbështetjen projektligjit, sikurse edhe përfaqësuesit e grupeve parlamentare.

Po ashtu, Kuvendi shqyrtoi edhe Projektligjin për kamatëvonesat në transaksionet tregtare, të cilin e prezantoi ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami.

Në mungesë të kuorumit, Kuvendi ndërpreu punimet.


Mbledhja vazhdon nesër në orën 12:00.

 

 

Mbledhja plenare e KuvenditMbledhja plenare e KuvenditMbledhja plenare e KuvenditMbledhja plenare e Kuvendit