Lajmet e fundit

U mbajt debati shkencor për shënjimin e kufirit me Malin e Zi

E Mërkure, 03.08.2016




Në mjediset e Kuvendit të Republikës së Kosovës (salla alternative), është mbajtur sot debati profesional-shkencor mes Komisionit shtetëror për Shënjimin e kufirit me Malin e Zi dhe Grupit të njohësve që kanë kërkuar debatin për diskutim dhe ballafaqim faktesh për çështjen e shënjimit të kufirit, Kosovë - Mali i Zi.


Në këtë debat merrnin pjesë deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, presidenti Thaçi, kryeministri Mustafa, anëtarët e Komisionit shtetëror për shënjimin dhe mirëmbajtjen e kufirit shtetëror, ekspertë të propozuar nga grupi i deputetëve që e kanë kërkuar debatin, përfaqësues të institucioneve relevante të fushës, OJQ, media, diplomatë të akredituar në Republikën e Kosovës.


Takimin e ka hapur nënkryetari i Kuvendit , Xhavit Haliti, i cili prezantuar disa rregulla të debatit të sotëm, të cilat janë miratuar nga takimi i mbrëmshëm i Kryesisë me shefat e grupeve parlamentare. Ai pastaj ia ka dhënë fjalën kryeparlamentarit Veseli.


Në fjalën e tij para të pranishmëve, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, tha se ky debat përbën një moment të veçantë politik për vendin tonë. Duke shprehur besimin se mesazhi i përbashkët i këtij debati është vullneti dhe përkushtimi i të gjithë spektrit politik, që problemet dhe mosmarrëveshjet të adresohen përmes rrugëve demokratike dhe të zgjidhen po me mjete demokratike, Veseli tha se vetëm bashkëbisedimi dhe demokracia sjellin zgjidhje të qëndrueshme.


Ai tha se tash e një kohë të gjatë Kosova është duke u përballuar me një situatë aspak të lehtë. Dy marrëveshjet e arritura në gushtin e vitit 2015, ajo për asociacionin dhe tjetra për demarkacionin, shtoi Veseli, janë përcjellë me mosmarrëveshje serioze brenda spektrit politik kosovar.


"Debati i sotëm është një mundësi shumë e mirë që brenda Kuvendit të Republikës së Kosovës të ballafaqohen argumentet rreth çështjes së shënjimit të kufirit tonë, në mënyrë që të dërgojmë mesazh tek partnerët tanë se ne jemi një demokraci e zhvilluar dhe se jemi partnerë të denjë për të marrë përgjegjësitë tona shtetërore", theksoi kryetari Veseli.


Kryekuvendari Veseli shtoi se dilemat dhe kundërshtimet rreth shënjimit të kufirit me Malin e Zi duhet të sqarohen në mënyrë që vendi të ecë përpara.


"Ne jemi shtet sovran. Kufijtë dhe territori ynë janë të paprekshëm. Ne udhëhiqemi nga politika e fqinjësisë së mirë dhe nuk kemi pretendime territoriale ndaj asnjë shteti tjetër. Askush nuk e do stagnimin dhe bllokimin. Vetë interesimi i gjithanshëm që ka ngjallur ky debat e dëshmon këtë. Le të jetë pra ky një fillim ri. Një fillim i përbashkët. Një fillim që do të meritojë të shënohet në fletët ende të pashkruara të historisë sonë", theksoi ndër të tjera kryeparlamentari Veseli.


Në vazhdim të debatit të sotëm, të pranishëmve u është drejtuar presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili theksoi se ky debat i ka munguar padrejtësisht Kosovës tash e një vit, duke u shprehur i bindur se debati i sotëm do ta rrisë transparencën e këtij procesi.


Thaçi që në fillim të fjalës së tij është shprehur i prerë se çështja e demarkacionit si problem shtetëror është inekzistent dhe se Kosova nuk ka humbur asnjë metër katror të territorit të vetë.


Ai ka vlerësuar se shënjimi i kufijve është një nga kriteret kryesore të shtetësisë dhe se Republika e Kosovës duhet ta vlerësojë këtë kriter, dhe të bëjë një kufizim të qartë të kufirit me të gjitha vendet me të cilat kufizohet. Ai qëndrimin e tij pro demarkacionit e ka mbështetur mbi pikën 12 të Deklaratës së Pavarësisë ("Shënjimi i kufijve është një nga kriteret kryesore të shtetësisë së Republikës së Kosovës. Kosova duhet të plotësojë këtë kriter dhe të bëjë përkufizim të qartë me të gjitha vendet që kufizohet." ), e cila, siç është shprehur, mbështetet në Planin gjithëpërfshirës të presidentit Ahtisari.Presidenti Thaçi ka pohuar se procesi i demarkacionit është përshëndetur edhe nga të gjitha vendet e BE-së.


"Ne ju besojmë hartave të NATO-s dhe jo atyre të ekspertëve jugosllavë", ka thënë ndër të tjera Thaçi.
Ai i ka ftuar të pranishmit për një debat sa më të hapur, duke e tërhequr vëmendjen se nuk është në pyetje vetëm kjo marrëveshje, por pjekuria politike dhe aftësia për të funksionuar si shtet i bashkësisë ndërkombëtare.


"Pa demarkacion nuk do të ketë liberalizim të vizave", ka theksuar Thaçi, duke pohuar se SHBA-të po na përkrahin në themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës. Ai i ka ftuar pjesëmarrësit e debatit të sotëm që të mos nisen nga interesat politike, qofshin personale apo partiake.


Kryeministri i Qeverisë së Kosovës, Isa Mustafa në fillim të fjalës së tij në debatin e sotëm për demarkacionin me Malin e Zi ka pohuar se përmes këtij procesi dhe pas shpalljes së pavarësisë është arritur që kufijtë administrativë të shndërrohen në kufij ndërkombëtarë.


Ai ka theksuar se shënjimi i kufirit forcon shtetin e Kosovës dhe krijon kushte për marrëdhënie stabile me fqinjët tanë. Kryeministri ka pohuar se Kosova është rast i veçantë në mënyrën e shpalljes së pavarësisë së saj dhe se ky fakt na obligon që të respektojmë zotimet tona që i kemi marrë me shpalljen e pavarësisë. Mustafa ka thënë tutje se kufijtë e Kosovës janë pikërisht ata që janë paraparë në Pakon e Ahtisarit.


Mustafa ka thënë se është kërkuar nga qytetarët dhe kompanitë që të dëshmojnë nëse ndonjë pronë e tyre, qoftë publike apo private, i është kaluar Malit të Zi, dhe një gjë e tillë nuk ka ndodhu. Ai, ndërkaq, ka pohuar se Mali i Zi ka dëshmuar se një pjesë e tokës të cilën opozita dhe disa ekspertë po mendojnë se është e jona, është e Malit të Zi.
Ai e ka vlerësuar të saktë punën që ka bërë Komisioni shtetëror, andaj nënshkrimin e marrëveshjes e ka vlerësuar gjënë e duhur.


Ai ka tërhequr vëmendjen se nuk guxojmë të luajmë me fatin e Kosovës për interesa politike, as të pozitës as të opozitës, sepse, siç është shprehur ai, vendi ka plane më të mëdha, si shndërrimi i FSK-së në Forca të Armatosura, integrimi në procese evropiane e të tjera.


Kryetari i Komisionit Shtetëror për caktimin e vijës kufitare të Kosovës me Malin e Zi, Murat Meha në fjalimin e tij në debatin për demarkacionin tha se institucioni që ai përfaqëson nuk e ka ndryshuar as edhe një metër katror territorin e Kosovës.


Meha ka theksuar se Komisioni e ka kryer detyrën në përputhje me udhëzimin nga Qeveria dhe me përgjegjësi e profesionalizëm. Komisioni ka bashkëpunuar me institucionet relevante të vendit dhe ato lokale të : Pejës, Deçanit, Junikut dhe Istogut, duke i përmendur edhe dhjetëra takime që anëtarët e Komisionit me zyrtarë komunal të fushave të ndryshme dhe me qytetarë të zonave kufitare. Komisioni ka mbajtur 16 takime bilaterale në Kosovë dhe Mal të Zi. Janë mbajtur mbi 20 takime me zyrtarë komunal dhe me qytetarë, ka thënë Meha.


Duke e prezantuar Raportin e Komisionit shtetëror të Kosovës për shënjimin dhe mirëmbajtjen e kufirit shtetëror të Kosovës me Malin e Zi, ai e ka vlerësuar Komisionin institucional , profesional dhe gjithëpërfshirës. Meha ka pohuar se janë zbatuar metoda profesionale bazuar në ligjet në fuqi. Ai ka theksuar se komuna e Pejës i ka 603 km. katror në 70 njësitë e saj kadastrale. Komisioni me transpaencë ka njoftuar Qeverinë, ministritë përkatëse dhe kryetarët e komunave që tanojnë me demarkacionin.


Ai i ka siguruar të pranishmit dhe qytetarët se është arritur pajtueshmëri e plotë se komunat e tyre nuk kanë pasur dokumentacion tjetër, pos atij zyrtar që e ka Komisioni. "Kemi pasur edhe tentime për të raportuar në komisione parlamentare, por që ndonjëherë jemi penguar", ka shtuar ai.


Më 12 gusht 2015 në mënyrë unanime Qeveria ka miratuar Raportin e komisionit për demarkacionin.
Komisioni Shtetëror i Kosovës për shënjimin dhe mirëmbajtjen e kufirit nuk ka ndryshuar territor, as kufij të Kosovës, as të komunave. Komisioni garanton se nuk ka asnjë provë që ka mbetur në anën e Malit të Zi qoftë edhe një centimetër tokë e Kosovës, i ka garantuar Meha të pranishmit në debat.


Në pjesën e dytë të fjalës së tij, Meha, ndërkaq, ka prezantuar materiale faktike për demarkacionin, siç janë hartat e ndryshme, sidomos të atyre katastrale.


Kryetari i Komisionit Shtetëror për Demarkacionin me Malin e Zi, Murat Meha ka theksuar se partitë opozitare i kanë kërcënuar e shantazhuar anëtarët e Komisionit Shtetëror, si dhe familjarët e tyre.


Anëtari i Komisionit shtetëror për demarkacion, Besim Kajtazi, ka sjellë informacion për faktet e përdorura në planin e së drejtës ndërkombëtare për shënjimin e kufirit me Malin e Zi. Ai ka përmendur edhe aktet normative të Kosovës dhe të ish Jugosllavisë që ndërlidhen me kufirin e Kosovës.


Shaban Guda ka folur për aspektin e sigurisë të marrëveshjes për kufirin e Kosovës me Malin e Zi. Ai ka përmendur instalimin e KFOR-it në zonë kufitare, për zonë e sigurisë në atë zonë, si dhe për patrullimet e përbashkëta policore.

Anëtari tjetër i komisionit qeveritar, Tefik Basha, foli për territorin e Kosovës bazuar në dokumente të ndryshme dhe paraqiti të dhëna statistikore lidhur me sipërfaqen e saj nëpër vite.

Deputeti Shpejtim Bulliqi, duke falënderuar Kuvendin për organizimin e këtij debati, tha se kjo është një mundësi e mirë për të qartësuar, si për deputetët, ashtu edhe publikun e gjerë, dilemat që kanë shoqëruar këtë proces që nga fillimi. Bulliqi tha se grupi i deputetëve që ka kërkuar debatin nuk është kundër demarkacionit, por është kundër vijës kufitare të përcaktuar nga komisioni shtetëror.


Duke kontestuar bazën ligjore mbi të cilën është bërë shënjimi i kufirit me Malin e Zi nga ana e komisionit shtetëror, Bulliqi tha se ky është rasti i parë në botë që gjendja kadastrale merret si bazë e përcaktimit të kufirit shtetëror. Ai shtoi se pala malazeze ka marrë qëndrim që tërheqja e vijës kufitare të bëhet vetëm në bazë të dokumentacionit valid kadastral, duke i bërë kufijtë kadastral kufij shtetërorë.


Ai shtoi se materiali i sjellë në Komisionin për Integrime Evropiane nga ana e komisionit shtetëror, është përgatitur pas nënshkrimit të marrëveshjes me Malin e Zi.


"Ky material është azhurnuar me hartat të cilat ne i kemi pasqyruar në publik prej një viti e këtej, prandaj, si i tillë, është i pavlefshëm", theksoi deputeti Bulliqi.


Në vazhdim, ai prezantoi dokumente dhe harta të ndryshme vendore e ndërkombëtare, të cilat, sipas tij, e dëshmojnë lëvizjen e vijës kufitare nga ana e komisionit shtetëror.


Në vazhdim, fjalën e mori eksperti Përparim Ahmeti, i cili po ashtu u fokusua te korniza ligjore dhe dokumentacioni i përdorur në këtë proces. Ai tha se që në fillim do të duhej definuar baza juridike e këtij procesi, por një gjë e tillë, sipas tij, nuk është bërë. Ai tha se komisionet përkatëse shtetërore do të duhej të bisedonin dy-tri vite për kriteret dhe dokumentacionin, ndërsa pas përcaktimit të tyre, vendosja e vijës kufitare do të ishte proces i lehtë dhe i shpejtë.
Eksperti tjetër, Bashkim Idrizi, kontestoi po ashtu dokumentacionin e përdorur nga Komisioni dhe paraqiti të dhëna dhe harta të ndryshme topografike që, sipas tij, arsyetojnë qëndrimin e tyre kundruall këtij procesi.

Ligjëruesi i të drejtës ndërkombëtare, Enver Hasani, tha se nuk ka qenë në mandat të komisionit shtetëror caktimi i kufijve të rinj të Kosovës në drejtim të Malit të Zi. Ky mandat, sipas tij, ka qenë i paqartë dhe kjo ka ardhur si pasojë e bazës ligjore. Ai tha se Komisioni shtetëror ka pranuar si vijë demarkimi vijën e re, të caktuar mbi bazën e matjeve kadastrave, të kohës së para Luftës së Dytë Botërore, e cila gjykuar sipas procesverbalit të Qeverisë së Malit të Zi, është identike me shtrirjen e vijës kufitare të vitit 1974, për çka ai shfaqi mosbesimin e tij.


Sipas Hasanit, Komisioni ka tejkaluar mandatin e vet, duke përcaktuar kuota të reja dhe përshkrim të ri të përkufizimit të kufirit me Malin e zi. Ai tha se Komisioni, duke u mbështetur vetëm në gjendjen e kadastrave, ka caktuar një kufi të ri, duke e ndryshuar atë të vitit 1974.


Profesori universitar, Blerim Isufi, ka theksuar se delimitimi i kufirit të ish- republikave jugosllave ka ndodhur në rastin s shpërbërjes së atij shteti. I ka prezantuar një varg hartash, që nga viti 1945 e këtej (shumicën e të cilave nuk i kishte marrë parasysh Komisioni shtetëror i Kosovës), me të cilat dëshmoi shënjimin e gabuar të kufirit me Malin e Zi. Ai madje ka prezantuar edhe harta të vetë Malit të Zi, në të cilat nuk përfshihen zonat e kontestuar prej më shumë se 8 mijë hektarësh. Të njëjtën e dëshmon edhe një hartë amerikane , e viti 1998. Ai ka prezantuar edhe një dokument të Kuvendit të Kosovës të viti 1971, me harta të cilat nuk përputhën me vijën që na e ka përcaktuar Komisioni ynë shtetëror për demarkacionin. Me këtë hartë përputhet plotësisht edhe një hartë e Aviacionit amerikan, ka thënë ai.


Profesori universitar i të drejtës ndërkombëtare, dr. Zejnulla Gruda,ka thënë se është hamendur të marrë pjesë në këtë debat kur i kam dëgjuar drejtuesit e shteti që e përshëndesin këtë takim , por se do ta procedojnë për miratim marrëveshjen e dëmshme për demarkacionin, Ai ka dhënë shembuj të ndryshëm ndërkombëtarë për përcaktimin e kufijve, e duke argumentuar se nuk mund të ketë ndryshim të marrëveshjeve, pas miratimit.


Qasjen e lidhjes së marrëveshjes për demarkacioni e ka quajtur të gabuar, duke pohuar se bazimi vetëm në kadastër është i papresedencë. Këtë e ka argumentuar nga libra dhe dokumente relevante të fushës që nga viti 1625, e duke i cituar autoritetet më të larta botërore të çështjes së përcaktimit të kufijve ndërmjet shteteve. Për këtë çështje ka rregulla të së drejtës ndërkombëtare, të cilat fare nuk i ka pasur parasysh Komisioni ynë shtetëror për demarkacionin (ujëndarjet, vargmalet, kanale, etj).


Historiani, dr. Hakif Bajrami, që në fillim e ka kundërshtuar metodologjinë e përdorur të kadastrit. Ai ka pohuar se në raste të caktimit të kufijve përdoret parimi etnik , gjeografik, historik dhe më pastaj merren parasysh çështjet juridike, politike etj.


Ai ka përmendur fakte të diskriminimit të shqiptarëve në ish-sistemet shtypëse të Serbisë dhe Jugosllavisë, kur shqiptarëve iu lejohej të posedonin 40 ari tokë ,ndërkohë që kolonistëve serbë u lejohej prona prej 45 hektarësh. Ai ka argumentuar se kufiri historikisht ka qenë në Çakorr dhe në Zhleb.


Sipas Statutit të Krahinës Autonome të Kosovës të vitin 1948, kufijtë e Kosovë nuk mund të ndryshoheshin pa pëlqimin e saj, e këtë e sanksiononte edhe Statuti i vitit 1953, si dhe ai i viti 1963, ka thënë Bajrami. Ai ndërkaq ka pohuar se ndërtimin e rrugës Pejë-Çakorr e ka financuar Kosova.

Në debat e ka marrë fjalën Ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Greg Delawi, i cili duke e përshëndetur takimin e sotëm, është shprehur se marrëveshja e arritur për demarkacionin është e mirë për të dyja vendet,: si për Kosovën ashtu edhe për Malin e Zi. Ai ka pohuar se kufijtë e Kosovës janë sikurse janë në Planin e Ahtisarit, ashtu edhe në flamurin e Kosovës. Ai është shprehur optimist se ky debat do t'i qetësojë disa shqetësime të ngritura. Ai e ka përshëndetur parimin kadastral të përdorur nga Komisioni shtetëror, sikurse i ka përshëndetur edhe ata që e kanë parë të pamjaftueshëm mbështetjen vetëm në këtë parim, por duke e vlerësuar kadastrën si bazën më të saktë të përcaktimit të kufirit. Këtë, ka thënë ai, e kanë vërtetur edhe ekspertët ndërkombëtarë që kanë qenë në Kosovë gjatë shkurtit dhe marsit të këtij viti.


Ata që pohojnë se me këtë marrëveshje Kosova humb mbi 8 mijë hektarë, ambasadori i ka quajtur cinikë që mbjellin urrejtje, ndërkaq e ka kritikuar edhe Qeverinë që është vonuar për 11 muaj t'i bëjë publike dokumentet për këtë marrëveshje.


" Amerika do të qëndrojë prapa Kosovës, u miratua apo jo marrëveshja për kufirin me Malin e Zi", është zotuar Delawi, duke e shprehur besimin e tij se deputetët do të votojnë sipas ndërgjegjes së tyre, kur marrëveshja të vijë për miratim në Kuvend.

Ndërkaq, përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Gnoch, duke mirëpritur debatin, tha se duke e zhvilluar atë në mënyrë paqësore, mund të gjendet konsensusi dhe të merret një vendim i duhur.


Ai tha se çështja e kufijve është çështje shumë e rëndësishme nacionale. Kosova, sipas tij, ka marrëdhënie të mira fqinjësore me Malin e Zi dhe duhet t'i forcojë edhe më tej ato.


"Përcaktimi i kufirit është pjesë përbërëse e kësaj fqinjësie të mirë. Ka shumë çështje bilaterale të cilat duhet të përcaktohen, prandaj, ne jemi të gatshëm të përdorim çdo mundësi për të çuar përpara këtë proces dhe për t'ju ndihmuar, duke mos lejuar që ato të jenë pengesë për integrimin e mëtejshëm të Kosovës në BE. Prandaj, është e vendosur që Kosova të ketë përcaktimin e kufirit me Malin e Zi si një nga kushtet për liberalizimin e vizave. Ne që nga fillimi jemi të përfshirë në këtë proces, sepse ka të bëjë me procesin e menaxhimit të kufijve dhe menaxhimin e integruar të tyre", theksoi Gnoch, duke shfaqur shpresën se Kosova do të jetë e aftë që ta përmbyll së shpejti këtë kriter dhe të rrisë luftën kundër korrupsionit, si parakushte për liberalizimin e vizave.


Në pjesën e diskutimeve ka marrë pjesë edhe kryetari i Unionit të Malazezëve në Kosovë, Slobodan Vujiqiq, i cili është shprehur se çështja e demarkacionit është politizuar shumë dhe se kësaj po i kontribuojnë edhe shumë ekspertë në media dhe në takimin e sotëm. Ai ka thënë se dy vendet janë pajtuar që marrëveshja për kufirin të ratifikohet. Këtë ka thënë ai e kanë përshëndetur presidenti Obama dhe BE-ja. Duke u shprehur i bindur se kufijtë e Kosovës janë ata me të Kosova është pranuar ndërkombëtarisht, është shprehur optimist se deputetët do ta votojnë atë me ndërgjegje të plotë dhe jo me protesta.


Për çështjen e kufirit me Malin e Zi, folën edhe kryetari i Akademisë së Shkencave të Kosovës, Hivzi Islami dhe përfaqësuesi i Institutit Albanologjik të Kosovës, Zymer Neziri.

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci, tha se ka qenë kërkesë e kahershme që të sillen argumente rreth këtij procesi, pasi që, sipas tij, ka të bëjë me çështje jetike për Kosovën, duke përcaktuar kufijtë dhe sovranitetin e vendit. Ai tha se nuk do të pajtohet asnjëherë që të humbet asnjë centimetër tokë e shtetit të Kosovës, apo të marrë vendime që bien ndesh me interesat e vendit.


"Kemi humbur një vit kohë tepër të vlefshme për shtetin tonë. Të gjithë jemi të interesuar që t'i mbrojmë pronat dhe interesin e vendit", theksoi Grabovci. Ai shtoi se takimi i sotëm le të jetë debat i dy palëve . Mbi bazën e argumenteve të ofruara, Grupi Parlamentar i PDK-së do të ulet dhe do të marrë qëndrimin përfundimtar.

Ismet Beqiri, kryetar i Grupit Parlamentar të LDK-së, bëri të ditur se në funksion të qartësimit të dilemave të kësaj çështjeje, grupi që ai drejton ka mbajtur debat të veçantë. Duke përshëndetur mundësinë që është ofruar për të paraqitur qëndrime dhe argumente nga të dy palët, Beqiri tha se kjo nevojë ishte e hershme dhe e një rëndësie të veçantë.


"Për shumicën e deputetëve të LDK-së, jo vetëm për çështjen e demarkacionit, por për çdo çështje që lidhet me Kosovën, bashkëpunimi me miqët tanë, të cilët na kanë ndihmuar, është i domosdoshëm. Kosova s'mund të ecë përpara pa përkrahjen e tyre. Mikun kryesor, Kosova e ka SHBA-në", theksoi Beqiri.

Kryetari i GP Vetëvendosje, Glauk Konjufca , ka theksuar se dy kategoritë kryesore dhe të domosdoshme: natyrore dhe historike të përcaktimit të kufijve, i ka shkelur Komisioni shtetëror i Kosovës për përcaktimin e vijës Kufitare me Malin e Zi. Pikat kufitare të Kosovës janë konfirmuar në të gjitha fazat e autonomisë së Kosovës. Ndaj sovraniteti i Kosovës duhet të shtrihet deri tek ato pika. Ai pastaj ka theksuar se në zonën që po i falet Malit të Zi, Kosova ka shtruar rrugët për Çakorr dhe atë për në Kullë dhe se këtë zonë e ka pyllëzuar pikërisht Kosova, gjë të cilën nuk do ta lejonte shteti fqinj po të ishte pjesë e territorit të tij. Konjufca ka propozuar që Kuvendi ta zhvleftësojë punën e Komisionit , nga se Komisioni i ka tejkaluar kompetencat e tij: ai nuk e ka demarkuar kufirin por na ka sjellë kufij të ri.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, duke e përshëndetur debatin e sotëm, ka theksuar se gjendja kadastrave nuk është e mjaftueshme për përcaktimin e kufijve shtetërorë. Ai ka pohuar se Kuvendi duhet ta zhvleftësojë temën për demarkacionin, në mënyrë që të çështja të marrë një rrugëzgjidhje. Ndaj ai ka kërkuar thirrjen e seancës parlamentare për ta zhvleftësuar marrëveshjen për demarkacionin.


Deputeti Nait Hasani e ka falënderuar ambasadorin amerikan që e pohoi faktin që marrëveshja për kufijtë nuk bazohet në Kushtetutën e 1974, as në gjendjen e vitit 1988, por sipas Planit të Ahtisarit. Ai pastaj e ka prezantuar një hartë të vetë Murat Mehës, të viti 2005, në të cilën Çakorri figuron territor i Kosovës.

Në emër të Grupit Parlamentar Nisma për Kosovën, deputeti Fatmir Limaj, falënderoi ekspertët, siç tha ai, për paraqitjen dhe gjetjet e tyre profesionale. Ai tha se argumentet që u dëgjuan sot, janë arsyeja pse kjo çështje ka qenë temë qendrore gjatë gjithë këtyre 11 muajve. Ai shfaqi shpresën se kjo tryezë, e para e këtij lloji në Kosovë, të jetë një pikë kthese për tema të tjera të cilat do ta preokupojnë nesër Kosovën.


"Kosova nuk duhet të lejojë të krijohen plagë të brendshme, të cilat mund të jenë të pashërueshme. Është detyrë jona që fëmijëve tanë t'ua lëmë vendin pa asnjë telashe", theksoi Limaj.

Përfaqësuesi i fshatrave të Deçanit, Rasim Ulaj, ka pohuar se territori i Kosovës deri te Kulla, e ka menaxhuar Kosova, sikurse i ka menaxhuar edhe pyjet e kësaj zone. Ai ka pohuar gjithashtu se nga viti 1946 e këndej taksat për kullosa i kanë paguar në Pejë, kurse edhe pyllëzimin e terrenit e ka bërë po komuna e Pejës, duke i ftuar deputetët që në asnjë mënyrë të mos e miratojnë marrëveshjen që ia falë tokën tonë Malit të Zi.


Edhe deputetja Donika Kadaj-Bujupi, ka pohuar se zona që po i jepet Malit të Zi është menaxhuar nga Kosova, sikurse i ka menaxhar edhe pyjet dhe i ka shtruar rrugët. Ajo me një pasaportë të vulosur e ka dëshmuar se pika kufitare me Malin e Zi, ka qenë në Kullë.


Ali Lajçi, ndërkaq, i ka përmendur të gjitha zonat që po i jepen Malit të Zi, duke e quajtur kufirin e ri të pretenduar- kufi të interesit të shtetit fqinj.


Kryetar i GP të AAK-së, Pal Lekaj, theksoi Komisioni shtetëror nuk e ka bindur që të votojë marrëveshjen për kufirin. Kufirin kadastral ai e ka quajtur kufi katastrofal.


Sadri Zekaj, nga komuniteti i Podgurit, ka theksuar se nga viti 2009 kanë bërë protesta, kundër pranisë së policisë malazeze në atë zonë, por kush nga Qeveria nuk ka qenë atje.


Deputeti Zafir Berisha ka thënë se pas ekspertëve të pavarur është e tepët të flasim sepse e argumentuan të vërtetën e madhe të marrëveshjes së dëmshme. Ai ka theksuar se në Deklaratën e Pavarësisë nuk shkruan se Kulla dhe Zhlebi t'i jepen Malit të Zi Ai ka kërkuar që Komisioni shtetëror të shkarkohet kurse prokurori i shteti të merret me veprën penale të anëtarëve të këtij komisioni.


Zv,.kryeministri Kujtim Shala, i ka shtruar pyetje Enver Hasanit, kryetarit të Komisionit shtetëror dhe ekspertëve të pavarur.


Eksperti Tomorr Çela, ka shtruar pyetje apo humb Kosova territor dhe apo humb territor Peja. Ai ka theksuar se hartat topografike nuk mund të merren bazë për kufirin, por baza kadastrale. Ai e ka mbështetur metodologjinë e punës së Komisionit.


Deputeti Shaip Muja, është ankuar se vetëm pesë-gjashtë deputetëve u është dhënë dokumentacioni i Komisionit shtetëror, ndërsa disa prej tyre e kanë siguruar privatisht. Ai e ka demantuar kryetarin e ASHAK-së, duke e cituar punimet e tij shkencore, ku përmenden pikat kufitare Kullë dhe Zhleb.


Ismail Kabashi, nga katedra e Gjeodezisë, ka theksuar se nuk është përdorur kriteri i shumë matjeve, dhe problemi i sipërfaqeve.

Ministri i jashtëm Enver Hoxhaj, duke iu referuar fjalës së Shpejtim Bulliqit ka theksuar se debatet për kufijtë janë edhe emocionale. "Nga viti 2012 kam lexuar çdo shkrim dhe analizë sa i takon demaskimit të kufirit", ka thënë Hoxhaj i cili
Planin e Ahtisarit e ka quajtur më shumë se Bibël. Shndërrimin e kufirit administrativ në kufi ndërkombëtar, ndërkaq, e ka quajtur sukses të madh të Kosovës. Ai është shprehur i bindur se Kosova dhe Peja nuk humb territor.

Kanë diskutuar edhe Ismail Kurteshi, rojtarëve i pyjeve në zonën pyjore deri tek Kulla.Sali Hajdaraj, Fatmir Xhelili, ish-rektori Mujë Rugova, Besa Gaxherri, Rexhep Selimi, kryetari i Deçanit, Rasim Selmanaj, Besa Luzha, Daut Haradinaj, përfaqësuesi i pakicave, Hysen Balaj, Nuredin Ibishi, Riza Smaka, Mutaher Haskuka, Xhevdet Shala, Rrustem Berisha, Avni Gjonbalaj, Hysen Durmishi, Gëzim Kelmendi, Muharrem Carrabregu, Ali Berisha, Hajriz Beleshi

Në përfundim të debatit përfaqësuesit e të dy komisioneve u janë përgjigjur pyetjeve të deputetëve dhe të pjesëmarrësve të tjerë të debatit. Pyetje ka shtruar edhe kryparlamentari Veseli lidhur me obligimet që dalin nga Marrëveshja teknike-ushtarake e Kumanovës dhe Plani i Ahtisarit, të cilave u është përgjigjur dr. Enver Hasani.
Përfaqësuesit e grupeve parlamentare kanë dhënë qëndrimet e tyre të shkurtra lidhur me rezultati e debatit, kurse kryesuesit e komisioneve kanë bërë deklarata përfundimtare në këtë debat. Konkluzionet në emër të 24 deputetëve nënshkrues i ka lexuar deputeti Nait Hasni.


Kryesuesi i debatit , Xhavit Haliti, duke i falënderuar të pranisjhmmit plër durimin e treguar, ka theksuar se kanë debat kanë marrë pjesë 55 diskutues, tre kryesues, dy fjalë ambasadorësh.


"Sot kemi treguar se sa mirë mund të dëgjojmë dhe sa mirë mund të kuptohemi; sa jemi pro SHBA-ve dhe Bashkimit Evropian. gjithmonë në interes të qytetarëve", ka thënë në fund kryeparlamentari Veseli.

Nesër në ueb-faqen e Kuvendit do ë botohet transkripti i plotë i debatit të sotëm për demarkacionin me Malin e Zi.

 

 

U mbajt debati shkencor për shënjimin e kufirit me Malin e ZiU mbajt debati shkencor për shënjimin e kufirit me Malin e ZiU mbajt debati shkencor për shënjimin e kufirit me Malin e ZiU mbajt debati shkencor për shënjimin e kufirit me Malin e Zi