Lajmet e fundit
Ka filluar debati profesional-shkencor për çështjen e shënjimit të kufirit Kosovë-Mali i Zi
E Mërkure, 03.08.2016
Sot, në mjediset e Kuvendit të Republikës së Kosovës, ka filluar debati profesional-shkencor mes Komisionit shtetëror për Shënjimin e kufirit dhe Grupit të njohësve që kanë kërkuar debatin për diskutim dhe ballafaqim faktesh për çështjen e shënjimit të kufirit, Kosovë - Mali i Zi.
Në këtë tryezë po marrin pjesë deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, presidenti, kryeministri, anëtarët e Komisionit shtetëror për shënjimin dhe mirëmbajtjen e kufirit shtetëror, ekspertë të propozuar nga grupi i deputetëve që e kanë kërkuar debatin, përfaqësues të institucioneve relevante të fushës, OJQ, media, diplomatë të akredituar në Republikën e Kosovës.
Në fjalën e tij para të pranishmëve, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, tha se ky debat përbën një moment të veçantë politik për vendin tonë. Duke shprehur besimin se mesazhi i përbashkët i këtij debati është vullneti dhe përkushtimi i të gjithë spektrit politik, që problemet dhe mosmarrëveshjet të adresohen përmes rrugëve demokratike dhe të zgjidhen po me mjete demokratike, Veseli tha se vetëm bashkëbisedimi dhe demokracia sjellin zgjidhje të qëndrueshme.
Ai tha se tash e një kohë të gjatë Kosova është duke u përballuar me një situatë aspak të lehtë. Dy marrëveshjet e arritura në gushtin e vitit 2015, ajo për asociacionin dhe tjetra për demarkacionin, shtoi Veseli, janë përcjellë me mosmarrëveshje serioze brenda spektrit politik kosovar.
"Debati i sotëm është një mundësi shumë e mirë që brenda Kuvendit të Republikës së Kosovës të ballafaqohen argumentet rreth çështjes së shënjimit të kufirit tonë, në mënyrë që të dërgojmë mesazh tek partnerët tanë se ne jemi një demokraci e zhvilluar dhe se jemi partnerë të denjë për të marrë përgjegjësitë tona shtetërore", theksoi kryetari Veseli.
Veseli shtoi se dilemat dhe kundërshtimet rreth shënjimit të kufirit me Malin e Zi duhet të sqarohen në mënyrë që vendi të ecë përpara.
"Ne jemi shtet sovran. Kufijtë dhe territori ynë janë të paprekshëm. Ne udhëhiqemi nga politika e fqinjësisë së mirë dhe nuk kemi pretendime territoriale ndaj asnjë shteti tjetër. Askush nuk e do stagnimin dhe bllokimin. Vetë interesimi i gjithanshëm që ka ngjallur ky debat e dëshmon këtë. Le të jetë pra ky një fillim ri. Një fillim i përbashkët. Një fillim që do të meritojë të shënohet në fletët ende të pashkruara të historisë sonë", theksoi ndër të tjera kryeparlamentari Veseli.