Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit

E Marte, 02.08.2016




Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, e kryesuar nga kryeparlamentari Kadri Veseli, mbajti sot mbledhjen e radhës, në të cilën përcaktoi agjendën dhe mbarëvajtjen e debatit të nesërm lidhur me shënjimin e kufirit të Kosovës me Malin e Zi.


Në këtë mbledhje, ishin të pranishëm edhe deputetë - anëtarë të grupit të cilët kanë kërkuar mbajtjen e këtij debati.
Kryesia vendosi që krahas anëtarëve të komisionit shtetëror për Demarkacion dhe atyre të grupit të njohësve profesionistë, si dhe deputetëve të Kuvendit, në këtë debat të marrin pjesë edhe Presidenti i vendit, Kryeministri dhe ambasadorët e akredituar në Prishtinë.


Pas mbledhjes së Kryesisë, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, në adresimin e tij para gazetarëve, theksoi se ky debat do të jetë gjithëpërfshirës dhe shërbim të transparencës së këtij procesi, duke shërbyer, gjithashtu, për qartësimin e të gjitha dilemave për deputetët e Kuvendit të Republikë së Kosovës dhe qytetarët në përgjithësi.


I pyetur nga gazetarët lidhur me fjalën që pritet ta mbajë në këtë debat ambasadori amerikan, Greg Delawie, kryetari Veseli tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjithherë kanë qëndruar afër Kosovës dhe interesimi i tyre që të vazhdojë t'i qëndrojë pranë edhe më tutje, është në interes të vet shtetit dhe qytetarëve tanë.

 Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit