Lajmet e fundit
Nga vizita e Komisionit për Zhvillim Ekonomik në AKP
E Marte, 26.07.2016
Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, i kryesuar nga Muhamet Mustafa, kryetar, në kuadër të aktiviteteve të tij, vizitoi sot Agjencinë Kosovare të Privatizimit (AKP).
Gjatë takimit u diskutua për një varg çështjesh, të cilat vazhdojnë të jenë sfiduese për këtë agjenci. Kryesuesi i Bordit të Drejtorëve, z. Petrit Gashi, i informoi anëtarët e komisionit për zhvillimet dhe aktivitete e agjencisë, si dhe çështje të cilat ndërlidhen me rritjen e efikasitetit në punën e saj.
Çështje më rëndësi që u diskutuan me këtë rast ishin progresi i shpërndarjes së 20% për punëtorët e NSh-ve të privatizuara, kërkesat kreditore, procesin e riorganizimit të ndërmarrjes "Trepça", procesin e studimit të fizibilitetit, procesin e lirimit të pronave të uzurpuara në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës dhe qiradhëniet, ndryshimin e ligjit të AKP-së, përmirësimin e legjislacionit dhe procedurave, si dhe për mundësinë e përshpejtimit në trajtimin e lëndëve të ndërlidhura për Agjencinë nga Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme.
Anëtarët e komisionit parlamentar, z. Besim Beqaj dhe z.Raif Qela, ndërkaq, shprehën interesim për një varg çështjesh, për të cilat u informuan nga Kryesuesi i Bordit dhe menaxhmenti i AKP-së.