Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Punë të Brendshme dhe Siguri
E Marte, 26.07.2016
Komisioni për punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së i kryesuar nga Fadil Demaku, nënkryetar i Komisionit, në mbledhjen e mbajtur sot, diskutoi rreth realizimit të Planit të Punës për gjashtëmujorin e parë të vitit 2016.
Nënkryetari Demaku, me këtë rast theksoi se Komisioni gjatë këtij sesioni (sesionit pranveror) ka zhvilluar aktivitetet e tij në bazë të planit vjetor të punës, i miratuar në fillim të vitit. Këto aktivitete, tha ai, janë realizuar nëpërmjet mbledhjeve të rregullta, dëgjimeve publike, takimeve zyrtare, brenda dhe jashtë vendit, si dhe nëpërmjet vizitave zyrtare në institucionet përkatëse me qëllim të mbikëqyrjes së punës së tyre. Komisioni gjatë periudhës janar - korrik, vijoi ai, përfshirë edhe mbledhjen e sotme, ka mbajtur dhjetë mbledhje. Mbledhjet e Komisionit kanë qenë publike dhe janë mbikëqyrur dhe monitoruar nga organizatat vendore dhe ndërkombëtare .
Sa i përket shqyrtimit të projektligjeve gjatë këtij sesioni, Komisioni nuk ka pasur në shqyrtim asnjë projektligj edhe pse janë paraparë në Planin Legjislativ të Qeverisë dhe në Planin e Punës së Komisionit. Këtë, nënkryetari Demaku e arsyetoi me faktin se Qeveria nuk i ka sjellë për shqyrtim dhe miratim në Kuvend.
Duke folur për shqyrtimin e raporteve, Demaku tha: "Komisioni gjatë kësaj periudhe ka shqyrtuar raportet vjetore për punën e institucioneve që mbikëqyren prej tij, duke përfshirë: Raportin vjetor të Komandantit të FSK-së për vitin 2015, Raportin vjetor të Agjencisë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale për vitin 2015 dhe Raportin e Inspektoratit Policor të Kosovës për vitin 2015.
Foli më pas edhe për raportimet në Kuvend nga ana e ministrit të Ministrisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës, komandantit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, mbikëqyrësit kryesor shtetëror të Agjencisë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, si dhe të ministrit të Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Në raportin e Punës gjatë këtij sesioni, nënkryetari Demaku, njoftoi edhe për dëgjimet publike, si dhe aktivitete të tjera të Komisionit, përfshirë vizitat zyrtare brenda dhe jashtë vendit.
Në fund të fjalës së tij, Demaku vlerësoi se pjesa më e madhe e aktiviteteve të planifikuara janë realizuar, ndërkaq, për ato të cilat kanë mbetur pa u realizuar, tha se do të barten në sesionin vjeshtor.
Anëtarët e Komisionit nga ana e tyre theksuan se janë kryer detyrat dhe obligimet me të cilat është ngarkuar Komisioni, ndërkaq, vlerësuan se projektligjet e planifikuara nga Qeveria duhet të procedohen në Kuvend. Me këtë rast ata nënvizuan rëndësinë e tyre, me theks të veçantë, Projektligjin për pensionimin e zyrtarëve të Policisë së Kosovës si dhe Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjeve që kanë të bëjnë me Forcat e Armatosura të Kosovës.
Në përfundim të takimit, nga anëtarët e komisionit u kërkua që në mbledhjen e radhë të ftohet në raportim kryeshefi i Inspektoratit Policor të Kosovës.