Lajmet e fundit
Komisioni për Punë të Jashtme priti dy ekspertë të njohur nga Universiteti i Iowa-s
E Mërkure, 20.07.2016
Anëtarët e Komisionit për Punë të Jashtme, në takimie sotëm të drejtuar nga Qerim Bajrami, zëvendëskryetar i Komisionit, nga radhët e komuniteteve pakicë, ka pritur dy ekspertë të njohur nga Universiteti i Iowa-s: dekanen, Prof. Dr. Adrien Wing dhe ligjëruesin Prof. Nathan Miller. Ata vizitojnë Kosovën për të thelluar bashkëpunimin me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës, me Universitetin publik të Kosovës, si dhe për të vënë kontakte bashkëpunimi me Kuvendin e Kosovës dhe me këtë komision parlamentar.
Nënkryetari i Komisionit, Bajrami, por edhe anëtaret e tjerë të pranishëm në takim: Puhie Demaku, Blerta Deliu-Kodra, Elmi Reçica, Zafir Berisha dhe Ismet Beqiri, kanë vlerësuar mbështetjen e fuqishme të SHBA-ve për Kosovën dhe sidomos të shtetit të Iowa-s, me theks të veçantë në planin e sigurisë dhe krijimit të kuadrove shkencorë, nga bashkëpunimi me universitetin e njohur të këtij vendi. Ata e kanë parë shumë të rëndësishme ekspertizën e mysafirëve në shumë lëmenj të së drejtës ndërkombëtare, si anëtarësimi në organizata ndërkombëtare, krimet e luftës, me theks të veçantë dhunimi i grave nga pjesëtarë të forcave ushtarake dhe paraushtarake të agresorit. Anëtarët e Komisionit, ndërkaq, kanë kërkuar mbështetjen për forcimin e kuadrit civil profesional të këtij komisioni, si dhe për funksionalizimin e diplomacisë parlamentare të Kuvendit të Kosovës. Ata e kanë parë shumë të rëndësishme mbështetjen e arsimit të Kosovës, duke mundësuar shkollimin e studentëve kosovarë në Universitetin e Iowa-s dhe në universitete të tjera amerikane.
Zonja Wing ka pohuar se Universiteti i Iowa-së, me profesorët dhe studentët e tij ka ekspertizë solide në shumë lëmenj të së drejtës, sidomos në atë të mbrojtjes së drejtave të njeriut.
Zoti Miller, i cili pos që është drejtor i Klinikës së të drejtës ndërkombëtare të Fakultetit Juridik të këtij universiteti të njohur, ka punuar shumë në hartimin e kushtetutave dhe të akteve të tjera të rëndësishme të shumë shteteve të reja, a në krijim e sipër si: Sudan Jugor, Malavi,Palestinë etj. Ai ka pohuar se po punon bashkë me MPJ-në për të sheshuar mundësitë parë anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe në Këshillin e Evropës, po ka theksuar faktin që vendi ynë mund të nënshkruaj traktate ndërkombëtare edhe pa qenë anëtar i OKB-së. Miller ka shprehur kënaqësinë që universiteti i vendi të tij sivjet (gjatë muajit tetor) organizon një konferencë ndërkombëtare për të drejtën moderne bashkëkohore për vendosje, në hapjen e së cilës do të marrë pjesë ministri për Punë të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj.
Në përfundim të takimit, zv.kryetari i Komisionit, Bajrami ka shprehur vullnetin e patundur të qytetarëve dhe të institucioneve të Kosovës për integrime euroatlantike, kurse mysafirët amerikanë janë zotuar se vendi i tyre do të vazhdojë ta mbështesë shtetin e ri të Kosovës dhe popullin e saj.
Me këtë rast dekanja Wing u ka dhuruar anëtarëve të komisionit nga një kopje të historisë së Universitetit të Iowa-s, në kuadër të 150- vjetorit të krijimit të tij, kusre Elmi Reçica, në emër të anëtarëve të Komisionit u ka dhuruar mysafirëve librin "Mashtri i Madh" (në anglisht) të studiuesit, Bardhyl Mahmuti, i cili me argumente i kundërvihet raportit të senatorit zviceran, Dick Marty ish-anëtar i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.