Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Punë të Brendshme...
E Marte, 19.07.2016
Komisioni për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së mbajti sot mbledhjen e radhës të kryesuar nga zv/kryetari i parë i Komisionit, Fadil Demaku, në të cilën raportoi ministri i Brendshëm, Skender Hyseni.
Temat për të cilat ka raportuar Ministri ishin: situata e sigurisë në vend, zbatimi i detyrimeve që dalin nga Raporti i Progresit për Kosovën dhe Plani kombëtar për zbatimin e MSA-së. Në ekspozenë e tij, Ministri ka elaboruar dhe shkoqitur aspektet kyçe të këtyre temave.
Duke u ndaluar tek situata e sigurisë ai theksoi se institucionet përgjegjëse janë duke kryer punën e vet sipas kompetencave të tyre dhe gjendja është e mirë përveç sigurisë në trafik ku duhet marrë masa për rishikim të legjislacionit, sepse aty gjendja është shqetësuese, është shprehur Ministri. Me tutje ai ka përshkruar situatën rreth radikalizmit ekstrem në Kosovë, bashkëpunimin rajonal dhe anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, si Interpoli.
Duke iu referuar, ndërkaq, obligimeve që dalin nga Raporti i Progresit dhe MSA-ja, tha se Ministria, të cilën e drejton, është duke bërë zbatimin e tyre, e duke i dërguar të dhënat (imputet) tek Ministria e Integrimeve, si ministri koordinuese për këtë çështje.
Anëtaret e Komisionit kanë shtruar pyetje të ndryshme që kishin të bënin ne funksionimin e Policisë, me masat planifikuese për përmirësimin e situatës së sigurisë në trafik, luftimin e kriminalitetit, integrimin e prestarëve të komuniteteve në Policinë e Kosovë, masat kundër trafikimit me qenie njerëzore, etj. në të cilat është përgjigjur Ministri në vijim të mbledhjes.
Në fund të mbledhjes u vendos që kryeshefi i Inspektoratit Policor të Kosovës, Hilmi Mehmeti, të raportojë në mbledhjen e radhës së Komisionit.