Lajmet e fundit

Kryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane, Njomza Emini, priti ambasadoren franceze, Maryse Daviet

E Mërkure, 13.07.2016




Kryetarja Emini falënderoi ambasadoren Daviet për mbështetjen e vazhdueshme të Francës ndaj Kosovës, duke shtruar nevojën që kjo përkrahje të vazhdojë edhe në të ardhmen

Kryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Njomza Emini, priti sot në takim ambasadoren e Francës në Kosovë, Maryse Daviet, me të cilën diskutoi për bashkëpunimin midis dy vendeve dhe agjendën evropiane të Kosovës.
Duke i uruar kryetares Emini suksese në drejtimin e Komisionit, ambasadorja Daviet konfirmoi mbështetjen e shtetit francez për Kosovën edhe në të ardhmen, si ne aspekte zhvillimore, ashtu edhe në agjendën euro-atlantike të vendit tonë.
Kryetarja e komisionit, Njomza Emini, ndërkaq, e njohu diplomaten franceze me punën dhe angazhimet e komisionit që ajo drejton, si dhe me sfidat nëpër të cilat po kalon Kosova në procesin e integrimit evropian të saj.
Ajo falënderoi shtetin mik të Francës për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës, në kohë dhe rrethana të ndryshme, duke shtruar nevojën që kjo përkrahje të vazhdojë edhe në të ardhmen.