Lajmet e fundit

Komisioni për Zhvillim Ekonomik vizitoi Autoritetin Kosovar të Konkurrencës

E Marte, 12.07.2016




Komisioni shprehu gatishmërinë e vet për përkrahjen e Autoritetit, në krijimin e një

organi funksional dhe profesional.

Anëtarët e Komisionit parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, të udhëhequr nga z.Muhamet Mustafa kryetar i Komisionit, vizituan sot Autoritetin Kosovar të Konkurrencës. Me këtë rast, anëtarët e Komisionit parlamentar u pritën nga z. Valon Prestreshi, kryetar i Komisionit për Mbrojtjen e Konkurrencës, me bashkëpuntorë.

Në fillim, z. Prestreshi falënderoi Komisionin parlamentar për vizitën, duke e prezentuar një përmbledhje të aktiviteteve dhe gjendjes në të cilën gjendet ky autoritet.

Ndër çështjet kryesore të cilat i theksoi z. Prestreshi ishin grumbullimi i kërkesave të palëve si rezultat i mosemërimit të anëtarëve të Komisionit për Mbrojtjen e Konkurrencës, legjislacioni sekondar, kushtet e punës, promovimi i Autoritetit, avokimi, si dhe angazhimet për konkurrencë të lirë dhe të drejtë.

Në vazhdim, anëtarët e Komisionit parlamentar u interesuan për orientimin e Autoritetit dhe sfidat që ka ky organ në mbrojtjen e konkurrencës. Komisioni shprehu gatishmërinë e vet për përkrahjen e Autoritetit, në krijimin e një organi funksional dhe profesional, dhe njëkohësisht kërkoi që, Autoriteti, të jetë në gjendje të garantojë konkurrencë të lirë dhe të drejtë në treg, në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik.