Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për të Drejtat, Interesat e Komuniteteve dhe Kthim
E Marte, 12.07.2016
U përkrahën katër projektligje.
Projektligji për Rregullat e Komunikacionit Rrugor me amendamente të Komisionit funksional për Zhvillim Ekonomik, do të shqyrtohet në mbledhjen e radhës.
Mbledhja e sotme e Komisionit për të Drejtat, Interesat e Komuniteteve dhe Kthim, kryesuar nga kryetarja e Komisionit Jasmina Zhivkoviç, kishte për objekt shqyrtimin e pesë projektligjeve: Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për aftësimin, riaftësimin profesional dhe punësimin e personave me aftësi të kufizuara me Raport plotësues me amendamente të Komisionit funksional për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, Projektligjin për Profesionet e Rregulluara në Republikën e Kosovës me amendamente të Komisionit funksional për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Sport, Projektligjin për Rregullat e Komunikacionit Rrugor me amendamente të Komisionit funksional për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për financat e pushtetit lokal me amendamente të Komisionit funksional për Buxhet dhe Financa, si dhe Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2016, me amendamente të Komisionit funksional për Buxhet dhe Financa.
Anëtarët e komisionit propozuan që Projektligji për Rregullat e Komunikacionit Rrugor me amendamente të Komisionit funksional për Zhvillim Ekonomik, të shqyrtohet në një mbledhje tjetër, ndërkaq, katër projektligjet e tjera u përkrahën së bashku me amendamentet.
Projektligjet e miratuara në këtë mbledhje, do të procedohen tutje sipas Rregullores së Punës së Kuvendit.