Lajmet e fundit

Nga dëgjimi publik i Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Sport

E Hënë, 11.07.2016




U diskutua për Projektligjin për sponsorizime dhe donacione në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit.
Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Sport, i kryesuar nga Nait Hasani, kryetar, mbajti sot Dëgjim Publik, lidhur me Projektligjin për sponsorizime dhe donacione në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit.
Të pranishëm në këtë dëgjim publik ishin përfaqësues të Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit (MKRS), Ministrisë së Financave (MF), Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), Federata e Hendbollit (FH), Federata e Basketbollit (FB), FC Prishtina, FC KEK, Oda Amerikane dhe përfaqësues të OJQ-ve.
Diskutimet e të pranishmëve u koncentruan tek neni 12, e që ka të bëjë me zbritjet e lejuara. Lidhur me këtë, pjesëmarrësit kërkuan sqarime nga MF-ja, ndërkaq, vlerësuan se ky nen duhet të jetë më i qartë dhe më i kuptueshëm për komunitetin sportiv dhe të biznesit.
Përfaqësues të MF-së, ndërkaq, paraqiten sqarimet dhe mundësitë buxhetore, që ky Ligj të gjejë zbatim në praktikë.
Komisioni  kërkoi nga të pranishmit që vërejtjet e tyre t'ia paraqesin me shkrim anëtarëve të Komisionit, të cilët në mbledhjet e radhës do të shqyrtojnë dhe amendamentojnë nen për nen këtë projektligj.