Lajmet e fundit
Nga vazhdimi i mbledhjes plenare të Kuvendit
E Hënë, 11.07.2016
Kuvendi miratoi propozimin e Kryesisë për shpalljen e 5 Shtatorit - "Dita e Bamirësisë - Nëna Terezë" në Republikën e Kosovës
Kuvendi i Republikës së Kosovës, në vazhdimin e sotëm të mbledhjes plenare, të kryesuar nga nënkryetari Sabri Hamiti, shqyrtoi tre raporte të institucioneve të pavarura dhe një propozim.
Rekomandimin e Komisionit për Administratë Publike, Pushtet Lokal dhe Media, për miratimin e raportin e Radiotelevizionit të Kosovës për vitin 2015, e paraqiti deputetja Xhevahire Izmaku, e cila prezantoi, gjithashtu, aspekte përmbajtësore të raportit. Për raportin, folën edhe përfaqësues të grupeve parlamentare. Me gjithë prezencën e mjaftueshme të deputetëve në sallë, nuk pati kuorum për votimin e këtij raporti.
Më pas, Kuvendi shqyrtoi raportin e Zyrës së Rregullatorit për Energji për vitin 2015. Kryetari i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, Muhamet Mustafa, e prezantoi rekomandimin e këtij komisioni për miratimin e raportit, ndërsa, më pas, qëndrimet e tyre lidhur me këtë raport, i paraqitën edhe përfaqësuesit e grupeve parlamentare dhe deputetë të tjerë.
Kryesuesi i seancës hodhi në votim raportin, por ai nuk e mori përkrahjen e numrit të mjaftueshëm të deputetëve.
Punimet e Kuvendit vijuan me shqyrtimin e raportit vjetor të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të cilin, së bashku me rekomandimin për miratimin e tij, para deputetëve i prezantoi kryetarja e Komisionit për Legjislacion, Albulena Haxhiu.
Deputetja Safate Hadërgjonaj, prezantoi ndërkaq, rekomandimin e Komisionit për Buxhet dhe Financa, po ashtu, për miratimin e raportit të KQZ-së. Pas shterjes së diskutimeve të deputetëve, Kuvendi miratoi raportin.
Në vazhdim, deputetët miratuan edhe propozimin e Kryesisë së Kuvendit për shpalljen e 5 Shtatorit - "Dita e Bamirësisë - Nëna Terezë" në Republikën e Kosovës.
Në fund të kësaj mbledhjeje, me votim të fshehtë, Kuvendi zgjodhi Nenad Llaziqin anëtar të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, nga radhët e komunitetit serb, me mandat 5-vjeçar.