Lajmet e fundit
Vazhdimi i Seancës plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës
E Premte, 08.07.2016
Mbledhja e Kuvendit të Kosovës, e nisur dje, ka vazhduar edhe sot nën kryesimin e kryetarit, Kadri Veseli, me votimin e amandamenteve të mbetura dje, të Projektligjit për investimet strategjike në Republikën e Kosovës. Të katër amandamentet 32-35 u miratuan dhe më pas ligji kaloi në votim, në tërësi, i cili pasi nuk arriti të sigurojë numrin e domosdoshëm të votave nuk u miratua.
Pika në vijim ishte emërimi i anëtarit të Këshillit Drejtues të Institutit Gjyqësor të Kosovës.
Kryetari Veseli ia kaloi fjalën për arsyetim në emër të Komisioni për Legjislacion deputetes Albulena Haxhiu.
Lidhur me këtë, deputetja Haxhiu tha se Komisioni e ka shqyrtuar propozimin e Kryeprokurorit të Shtetit për emërimin e anëtarit të Këshillit Drejtues të Institutit Gjyqësor të Kosovës dhe ka vlerësuar se është në përputhje me ligjin dhe i propozon Kuvendit emërimin e kandidatit Haxhi Dërguti, për një mandat dy vjeçar.
Duke folur në emër të grupit parlamentar të VV-s, deputetja Haxhiu tha se propozimi i Kryeprokurorit është i papranueshëm, pasi duke vlerësuar përgjegjësinë dhe rolin e rëndësishëm të këtij pozicioni, vlerësojmë se kandidati Haxhi Dërguti nuk është i denjë dhe nuk i plotëson kriteret për të qenë anëtar të Këshillit Drejtues të Institutit Gjyqësor të Kosovës.
Në emër të grupit parlamentar të LDK-së deputeti Armend Zemaj tha se e mbështesim propozimin e Komisionit për Legjislacion për emërimin e kandidatit.
Pas votimit, Kuvendi e emëroi Haxhi Dërgutin, anëtar të Këshillit Drejtues të Institutit Gjyqësor të Kosovës, për një mandat dy vjeçar.
Në vijim të mbledhjes, pas një konsultimi të shkurtër me deputetët lidhur me zgjedhjen e një (1) anëtari të Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe zgjedhjen e zëvendësdrejtorit të Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit, kryeparlamentari Veseli, vendosi që procedimi për zgjedhjen e tyre të bëhet me një komision të përbashkët.
Lidhur me propozimin, për propozimin përzgjedhjen e një (1) anëtari të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, në emër të Komisionit për Legjislacion, arsyetimin e bëri deputetja
Albulena Haxhiu, kurse deputetja Duda Bajle, foli në emër Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Mjedis e Planifikim Hapësinor e cila arsyetoi propozimin për zgjedhjen e zëvendësdrejtorit të Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit.
Pas procesit të votimit (votim i fshehtë), për zgjedhjen e një (1) anëtari të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, kandidatët Nenad Laziç dhe Bogoljub Staletoviç nuk morën votat e domosdoshme. Votimi në raundin e dytë do të zhvillohet seancën e ardhshme, ndërsa për zgjedhjen e zëvendësdrejtorit të Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit, kandidatët Alush Rama dhe Halil Bllaca, nuk morën votat e domosdoshme, ndaj do të përsëritet konkursi për zgjedhjen e kandidatëve të rinj.
Për mungesë kuorumi seanca ndërpreu punimet. Seanca do të vijojë punimet ditën e hënë më 11 korrik 2016.