Lajmet e fundit

Nga mbledhja plenare e Kuvendit

E Enjte, 07.07.2016




Mbledhja e sotme e Kuvendit të Kosovës drejtuar nga kryeparlamentari Veseli, filloi me dy pikat e përhershme të mbledhjeve plenare: deklarimet jashtë rendit të ditës dhe pyetjet parlamentare. Deputetët që morën fjalën shpalosën një varg çështjesh dhe probleme të ndryshme me interes të publikut. Deputeti Bulliqi (LDK) i propozoi kryetarit të Kuvendit për organizimin e një takimi për tu analizuar të gjitha problemet lidhur me Demarkacionin me Malin e Zi.
Kryetari i Kuvendit, Veseli, premtoi se së shpejti çështja e demarkacionit do të vijë në Kuvend. Sapo ta marrin materialin nga Qeveria, vijoi kryeparlamentari, debati do të organizohet jo vetëm me ekspertë, por edhe me shoqërinë civile.
Lidhur me propozimin e deputetit Bulliqi, kreu i Kuvendit Veseli tha; "Jam plotësisht i gatshëm, por duhet bërë kërkesë zyrtare".
Pas kësaj mbledhjen e drejtoi nënkryetari i Kuvendit, Sabri Hamiti, i cili kaloi në pikën e dytë të Pyetjeve Parlamentare.
Deputetët D.Kadaj-Bujupi, I.Kurteshi, B. Haxhiu, M.M - Topalli, M. Haskukaj, D. Ademi, G. Musliu, B. Baftiu, P. Demaku dhe Albulena Haxhiu, shtruan pyetjet, të cilave i'u përgjigjën minstrat : Edita Tahiri, Lutfi Zharku, Avdulla Hoti dhe Arsim Bajrami.
Pas përfundimit të pyetjeve parlamentare, z.Veseli në bazë të procedurave parlamentare ftoi dy deputetët e rinj, të cilët zëvëndësojnë deputetët E Hoxhaj(PDK) dhe Besnik Bislimi (VV), përkatësisht sipas subjekteve politike deputetët Shukri Buja dhe Dritan Çaushi të bëjnë betimin.
Para se të procedohej më tej me rendin e ditës, kryetari Veseli ftoi kryetarin i Komisionit për Buxhet dhe Financa, Naser Osmani të paraqesë propozimin.
Deputeti Osmani tha se Komisioni për Buxhet dhe Financa në mbledhjen e datës 6 korrik 2016 pasi shqyrtoi projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2016, i rekomandon Kuvendit shqyrtimin dhe miratimin në parim të këtij ligji dhe leximi i parë dhe i dytë të bëhen me procedurë të përshpejtuar dhe shmangien nga afatet proceduriale, sipas Rregullores së Kuvendit. Komisioni kërkon:
- Shqyrtimi i parë i projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2016 të bëhet në seancën e sotme.
- Amandamentet e mundshme për rishikimin e buxhetit ti parashtrohen komisionit për Buxhet dhe Financa deri në 11 korrik 2016.
- Komisionet e përhershme duhet ta shqyrtojnë projektligjin dhe raportin me rekomandime t'ia paraqesin komisionit për Buxhet dhe Financa deri më 12 korrik 2016.
- Komisioni për Buxhet dhe Financa deri më 13 korrik duhet ta peraqesë raportin me rekomandime për shqyrtim në seancë plenare.
- Shqyrtimi i dytë për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2016 të bëhet në seancë plenare jo më vonë se në datën 14 korrik 2016

Komisioni për Buxhet dhe Financa ka paraparë që edhe Projektligji për financat e Pushtetit Lokal të procedohet në të njëjtën mënyrë, që kjo çështje të rregullohet me urgjencë, sipas procedurave të Rregullores së Kuvendit të paraqitura më sipër.

Si përfundim Komisioni për Buxhet dhe Financa kërkon që këto dy ligje të procedohen me procedurë të përshpejtuar.

Në emër të grupit parlamentar të VV, Albulena Haxhiu theksoi se këtë propozim të Komisioni për Buxhet dhe Financa nuk e mbështet, pasi po bëhet rutinë e zakonshme procedimi i përshpejtuar i projektligjeve të rëndësishme për buxhet duke mos na lënë kohën e domosdoshme për shqyrtim dhe shmangien për debat.
Më pas ky propozim i Komisionit u hodh në votim, i cili u miratua me shumicë votash.
Mbledhja vijoi punimet me shqyrtimin Projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2016, të cilin në emër të qeverisë e arsyetoi ministri i Financave, Hoti.
Deputetja Safete Hadërgjonaj, në emër të grupit parlamentar të PDK-së kërkoi mbështetjen për miratimin në parim të projektligjit. Po kështu në emër të grupit parlamentar të LDK-së, deputeti Naser Osmani kërkoi mbështetjen për miratimin në parim të këtij projektligji.
Deputetja Pantina, në emër të grupit parlamentar të VV theksoi se projekti për shqyrtimin e Projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2016 në komisionin për Buxhet dhe Financa ka pasur vetëm një orë kohë në dispozicion, për një material prej katërqind faqe. Kjo tregon se sa serioze është kjo qeveri, që po tenton të fshehë diçka, ndaj grupi parlamantar i VV nuk e mbështet shqyrtimin e këtij projektligji, tha Pantina.
Në emër të grupit parlamentar 6+, deputeti F Damka tha se e kanë shqyrtuar këtë Projektligj dhe kërkojmë një rishikim të buxhetit për Ministrinë për Komunitetet dhe Kthim si dhe gjetjen e një mirëkuptimi për rivlerësimin e buxhetit për komunitetet jo serbe.
Pas diskutimeve të deputetëve projektligj kaloi në votim dhe u miratua në parim.
Kuvendi vijoi punimet me shqyrtimin e Projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Financat e Pushtetit Lokal, të cilin në emër të qeverisë e arsyetoi ministri i Financave, Hoti.
Pas deklarimeve nga ana e përfaqësuesve të grupeve parlamentare, ky projektligj, u përkrah në parim, përveç përfaqësuesve të VV-s, të cilët u deklaruan kundër.
Gjithashtu u shqyrtua dhe u përkrah në parim edhe Projektligji për ndihmën shtetërore.
Më pas u vijua me shqyrtimin e amandamenteve të Projektligjit për investimet strategjike në Republikën e Kosovës. Deputetët shqyrtuan dhe përkrahën 31 nga 35 amandamente të paraqitura nga komisioni. Amandamentet e tjera të këtij projektligji, si dhe pikat e tjera të mbetura të kësaj mbledhjeje do shqyrtohen neser në orën 10.

 

1234