Lajmet e fundit

Nga vizita e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së në Stacionin Policor në Veri të Mitrovicës.

E Marte, 28.06.2016




Në kuadër të Planit të Punës, Komisioni për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së, i prirë nga Fadil Demaku, nënkryetar i parë i Komisionit, si dhe anëtarët Bojan Mitiq, Anton Quni, Rexhep Selimi, Ganimete Musliu dhe Nuredin Ibishi, realizuan një vizitë pune në Stacionin Policor në Veri të Mitrovicës.

Komisioni është pritur nga Besim Hoti, zëvendës Komandant i Stacionit Policor në Veri të Mitrovicës, si dhe Zhelko Bojiq, shef për Planifikimin e Operacioneve.

Zëvendës komandanti Hoti, me këtë rast theksoi se pjesa që i takon problematikës policore është e përballueshme, ndërkaq, sfidë aktuale është çështja e funksionalizimit të stacioneve dhe nënstacioneve, krijimi i këshillave për siguri në bashkësi si dhe çështja e integrimit të ish pjesëtarëve të MUP-it në Policinë e Kosovës.

Sa i përket përditshmërisë së punës policore, problemet janë të ngjashme sikurse në rajonet e tjera, tha Hoti, ndërkaq, shefi për Planifikimin e Operacioneve, Zhelko Bojiq, vlerësoi se situata e sigurisë është e kënaqshme dhe kjo është arritur me punë në terren.

Duke folur për qëllimin e kësaj vizite, anëtarët e Komisionit theksuan se qëllimi i saj është që të shohin nga afër zbatueshmërinë e Ligjit të Policisë së Kosovës, si dhe njohja nga afër me vështirësitë me të cilat përballet Policia e Kosovës në punët e përditshme. Po ashtu, u shprehën anëtarët e Komisionit, dëshirojmë të informohemi edhe për integrimin e plotë të ish pjesëtarëve të MUP-it në Policinë e Kosovës, gjendjen e përgjithshme e sigurisë si dhe problematikat e tjera të komunitetit jo shumicë në këtë pjesë. Anëtarët e komisionit, me theks të veçantë shprehën interesim për raportet ndërnjerzore në këtë pjesë dhe nivelin profesional të Policisë së Kosovës në Veri të Mitrovicës.

U diskutua po ashtu edhe për bashkëpunimin e Policisë së Kosovës me Gjykatat dhe Prokurorinë, bashkëpunimin me organizatat e tjera të policisë, bashkëpunimin ndërkombëtar, si dhe çështjen e veturave të cilat qarkullojnë pa targa në këtë pjesë.

Në përfundim të këtij takimi nga zyrtarët policor u kërkua një përkrahje më e madhe e institucioneve të Kosovës për komunat veriore, në aspektin e kushteve të punës, ndërtimin e objekteve të reja policore si dhe në fushën e drejtësisë. Në mbyllje të këtij takimi qëndrim i Komisionit ishte për përkrahjen e vazhdueshme në punën e tyre si dhe adresimi i shqetësimeve të tyre tek autoritetet kompetente.

 

 

Nga vizita e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së në Stacionin Policor në Veri të Mitrovicës. Nga vizita e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së në Stacionin Policor në Veri të Mitrovicës.