Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Punë të Brendshme dhe Siguri
E Premte, 24.06.2016
Komisioni për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, kryesuar nga Fadil Demaku, zv. kryetar i Komisionit, mbajti sot mbledhjen e radhës, në të cilën është diskutuar lidhur me propozimet e përfaqësuesve të BE-së, për projektin: Mbështetje për Institucionet e Kosovës në fushën e Mbrojtjes së të Dhënave Personale.
Me këtë rast, Nora Fargacs (eksperte kryesore e këtij projekti), paraqiti propozimet, për të cilat, tha ajo, mund të shërbejnë gjatë procesit të amendamentimit të Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Propozimet e paraqitura prej saj, iu referuan strukturës organizative të Agjencisë Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, siç janë: e drejta e Agjencisë për mundësinë e shqiptimit të gjobave, obligimin që të emërohen zyrtarët për mbrojtjen e të dhënave, zgjerimi i autorizimit për kryerjen e inspektimeve tek shërbyesit civil, si dhe përshtatja me direktivat e BE-së për mbrojtjen e të dhënave personale. Anëtarët e Komisionit, ndërkaq, u shpreh të gatshëm për të bashkëpunuar, duke kërkuar po ashtu përkrahje të vazhdueshme deri në realizimin e plotë të procesit të plotësim-ndryshimit të Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.