Lajmet e fundit
Kryetari Veseli mori pjesë në iftarin e shtruar nga kryetari i Klinës, Sokol Bashota
E Enjte, 23.06.2016
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, mori pjesë në iftarin e sontëm, të shtruar nga kryetari i Komunës së Klinës, Sokol Bashota, në oborrin e objektit komunal.
Përveç udhëheqjes komunale të Klinës dhe besimtarëve të shumtë myslimanë, pjesëmarrës në këtë iftar ishin edhe krerë të bashkësisë fetare katolike të kësaj komune.
Kryetari Veseli falenderoi kreun e Komunës së Klinës për këtë iniciativë, si dëshmi e tolerancës ndërfetare, mirëkuptimit dhe humanizmi ndaj njëri-tjetrit.
Veseli pati fjalë miradie për të gjitha bashkësitë fetare në Republikën e Kosovës, të cilat ai i konsideroi shembull të bashkëpunimit dhe përhapjes së harmonisë fetare e tolerancës midis njerëzve. Kryetari i Kuvendit potencoi edhe vlerat fetare të patriotëve tanë të shquar, të cilat afruan popullin me besimin e tyre.
"Kënaqësia për të qenë bashkë, ia shton vlerën festave tona. Harmonia fetare është vlerë jona e veçantë dhe kështu do të mbetet", theksoi kryetari Veseli.