Lajmet e fundit
Nga aktivitetet e nënkryetarëve të Kuvendit të Kosovës në takimin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës
E Enjte, 23.06.2016
Gjatë qëndrimit të delegacionit të Kuvendit të Republikës së Kosovës në punimet e Sesionit të tretë të rregullt të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës në Strasbourg të Francës është vazhduar me pjesëmarrje në punimet e Sesionit dhe mbledhjen e Komisionit për Çështje Politike dhe Demokraci.
Delegacioni i Kuvendit të Republikës së Kosovës i udhëhequr nga z.Xhavit Haliti, nënkryetar i Kuvendit të Kosovës dhe znj.Aida Dërguti, nënkryetare e Kuvendit të Kosovës, sot është takuar me Sir Roger Gale - Shef i Delegacionit të Britanisë së Madhe në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe nënkryetar i Byrosë.
Gjatë këtij takimi, delegacioni Kosovës i kërkoi delegacionit britanik mbështetje në avancimin e statusit të delegacionit të Kuvendit të Republikës së Kosovës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës në bazë të rezolutës të Këshillit të Evropës 2094 (2016), Situata në Kosovë dhe roli i Këshillit të Evropës.
Ndërsa udhëheqësi i delegacionit të Britanisë së Madhe në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës Sir Roger Gale premtoi se delegacioni i Britanisë së Madhe do të vazhdojë të ofrojë mbështetje drejt anëtarësimit të plotë të Kosovës në Këshillin e Evropës.
Po ashtu sot delegacioni i Kuvendit të Republikës së Kosovës ka zhvilluar takim me z.. Jonas Gunnarsson, udhëheqës i delegacionit të Suedisë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Gjatë këtij takimi delegacioni i Kuvendit të Kosovës e falënderoi delegacionin e Suedisë për kontributin e dhënë për mbështetjen dhe prezantimin e amendamenteve në interes të Kosovës, ndërsa z. Gunnarsson ofroi përkrahjen e tyre në procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës.