Lajmet e fundit

Debati publik lidhur me zbatimin e Ligjit për Shërbimin Civil në Republikën e Kosovës, konkretisht neni 11 i këtij Ligji

E Hënë, 20.06.2016




Komisioni për të Drejtat, Interesat e Komuniteteve dhe Kthim, kryesuar nga znj- Jasmina Zhivkoviq, kryetare e komisionit, mbajti sot debatin publik (në bashkëpunim me KDI) lidhur me zbatimin e Ligjit për Shërbimin civil në Republikën e Kosovës, konkretisht nenin 11 të këtij Ligji.


Në këtë debat, krahas anëtarëve të Komisionit, morën pjesë edhe përfaqësuesit e Ministrisë për Shërbimet Publike, në krye me Ministrin Mahir Yagcilar, Koordinatori e Zyrës Juridike në Qeverinë e Kosovës, g. Jeton Oruqi, si dhe përfaqësuesit e OSBE-së, Asociacioneve të Komunave të Kosovës, KDI dhe OJQ-ve.


Kryetarja e Komisionit znj. Zhivkoviq, ka theksuar se Komisioni për të Drejtat, Interesat e Komuniteteve dhe Kthim, duke u bazuar në mandatin dhe kompetencat e saj dhe në bazë të fushëveprimit të punës, ka formuar Grupin punues për monitorimin e Ligjit për Shërbimin Civil në Republikën e Kosovës, konkretisht të nenit 11 të këtij Ligji. Ky grup punues pas punës disamuajshe ka nxjerrë përfundim dhe thekson brengosjen për shkak të problemeve në zbatimin e këtij Ligji, në nivel Qendror dhe atë lokal. Kryetari i Grupit punues, Veton Berisha, ka theksuar se grupi ka evidentuar disa parregullsi lidhur me punësimin e pjesëtarëve të komuniteteve jo shumicë dhe se statistika e Ministrisë për administratë publike nuk përmban informata të sakta dhe të sigurta. Ai në vazhdim theksoi se në bazë të Ligjit për Shërbimin Civil në Republikën e Kosovës, konkretisht neni 11 i këtij Ligji, komunitetet jo shumicë në nivel qendror dhe në atë lokal duhet të jenë të përfaqësuara së paku me 10% të të punësuarve, por kjo nuk zbatohet në të gjitha institucionet. Ndonëse të gjithë pjesëtarët e komuniteteve jo shumicë janë duke u ankuar për shkak të përfaqësimit, në situatë më të rëndë janë pjesëtarët e komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian.


Në vazhdim të debatit, eksperti i KDI-së, Shefqet Berisha, ka theksuar se në bazë të statistikave zyrtare nga kuota prej 10%, në nivel qendror komunitet jo shumicë kanë 6.24% të vendeve të punës të rezervuara në këtë Shërbim, ndërsa shkalla e pa punësisë në nivel lokal arrin 16.83%. Nga numri i përgjithshëm i të punësuarve në shërbimin civil, pjesëtarët e komunitetit goranë, romë, ashkali dhe egjiptian gjenden në shkallën më të ulët të punësimit, ndërsa pak më mirë qëndron situata e pjesëtarëve serb, boshnjak dhe turq. Situatë e ngjashme është edhe në nivel lokal. Në fund të ekspozesë z. Berisha ka theksuar se në këtë drejtim duhet të nxirren ligje të reja dhe të plotësohen disa ligje ekzistuese me akte nënligjore.


Në diskutim mori pjesë ministri, Mahir Yagcilar, i cili tha se si ministër nuk ka kompetenca që ta detyrojë një ministri apo ndonjë institucion shtetëror që t'i ketë të punësuar së paku 10% të komuniteteve jo shumicë, si dhe nuk mund të verifikojë nëse punëtorët e deklaruar si komunitete jo shumicë, në realitet i përkasin këtyre komuniteteve. Kjo duhet të rregullohet në të ardhmen dhe zbatimi në nivel lokal të jetë sipas përqindjes së komuniteteve jo shumicë që punojnë dhe jetojnë në një komunë.


Në fund të debatit, anëtarët e komisionit kanë shfaqur pakënaqësinë e tyre sepse në praktikë nuk zbatohet Ligji për shërbimin civil në Republikën e Kosovës, konkretisht neni 11 i këtij Ligji, ku në mënyrë decidive theksohet se përfaqësuesit e komuniteteve jo shumicë duhet të jenë të përfaqësuar së paku me 10% në administratë publike . Gjithashtu, duhet të verifikohet gjendja nëpër ministri dhe institucione të tjera publike nëse me të vërtetë pjesëtarët e komuniteteve jo shumicë janë të punësuar ose bëhet fjalë për pjesëtarë të rrejshëm të komuniteteve jo shumicë.

 

 

 

Debati publik lidhur me zbatimin e Ligjit për Shërbimin Civil në Republikën e Kosovës, konkretisht neni 11 i këtij LigjiDebati publik lidhur me zbatimin e Ligjit për Shërbimin Civil në Republikën e Kosovës, konkretisht neni 11 i këtij Ligji