Lajmet e fundit

Vazhdimi i mbledhjes së Kuvendit

E Premte, 17.06.2016




Mbledhja e Kuvendit të Kosovës, e nisur dje, ka vazhduar edhe sot nën kryesimin e nënkryetarit, Xhavit Haliti.


Në fillim të kësaj mbledhjeje, fillimisht janë hedhur në votim raportet, për të cilat debati lidhur me to është zhvilluar dje.


Me këtë rast, u miratuan këto raporte: Raporti i Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik për vitin 2015, Raporti i Agjencisë Kosovare të Pronës për vitin 2015, si dhe Raporti i Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës për vitin 2015.


U votuan po ashtu edhe Projektligji për Rregullatorin e Energjinë, si dhe propozimi i Komisionit për Buxhet dhe Financa lidhur me pagën e Auditorit të Përgjithshëm të Republikës së Kosovës.


Më pas, shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, propozoi shmangie nga Rregullorja e Punës së Kuvednit, në mënyrë që Projektligjit nr. 05/L-102 për ratifikimin e Marrëveshjes ndërkombëtare në mes Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian mbi Misionin e Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë, si dhe Projektligji nr. 05/L-103 për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që ndërlidhen me Mandatin e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Republikën e Kosovës, të shqyrtohen në mënyrë të përshpejtuar.


Propozimi i tij u përkrah edhe nga Grupi Parlamentar i PDK-së, në emër të të cilit foli shefi i tij, Adem Garabovci. Po ashtu, ky propozim u përkrah edhe nga grupet parlamentare të komuniteteve pakicë, ndërkaq, kundër u deklarua Grupi Parlamenatr i VV-së.


Megjithatë, deputetët me shumicë votash vendosën që shqyrtimi i këtyre projektligjeve të bëhet në mënyrë të përshpejtuar, sipas propozimit të deputetit Beqiri.


Në vijim të mbledhjes, e cila u kryesua nga kryeparlamentari Kadri Veseli, u procedua me shqyrtimin e këtyre projektligjeve.


Ato i paraqiti dhe arsyetoi zv. kryeministri, njëherësh ministër i Ministrisë së Drejtësisë, Hajredin Kuqi.
Lidhur me Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes ndërkombëtare në mes Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian mbi Misionin e Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë, Kuqi, u shpreh:" Qëllimi i marrëveshjes ka qenë që të rriten kapacitetet në fushën e rendit dhe ligjit në Republikën e Kosovës, si dhe të rriten kapacitetet në fushën e integrimeve evropiane". Qëllim parësor, tha ai në vijim, po ashtu ka qenë ruajtja partneritetit me BE-në dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.


Më pas, zv. kryeministri Kuçi, u shpreh:" Në kuadër të ruajtjes së sovranitetit, qëllim parësor ka qenë ruajtja e sistemit unik të drejtësisë dhe këtë e garanton kjo marrëveshje".


Në vijim, në foltore doli kryeparlamentari Kadri Veseli, i cili foli edhe në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së dhe të subjektit, lider i së cilës është.


Ai me këtë rast u shpreh:" Ky është moment shumë i rëndësishëm, sepse, Kosova si entitet i veçantë me sovranitet të plotë juridik, kushtetues, politik e territorial, ka mundësi që në perspektiven e vetë të ketë edhe një marrëdhënie kontraktuale me BE-në". Kjo marrëveshje, tha ai në vijim, është shumë e veçantë dhe pro-perëndimore, pjesë e së cilës janë edhe vet qytetarët e Republikës së Kosovës.


Lidhur me këtë, kreu i Kuvendit Veseli, po ashtu u shpreh se dekada më parë, atëherë kur Kosova ishte në procesin e shtetndërtimit, një gjë e tillë ka qenë e vështirë të besohej. " Nëse kthehemi në një proces, i cili ka qenë disa dekada më herët në rrugëtimin tonë drejt lirisë, shumë kush prej nesh do ta kishte parë ëndërr këtë moment", tha ai, ndërkaq, vijoi duke thënë:"Qëndrimi politik i PDK-së, është që t'i vazhdohet mandati EULEX-it. Ky nuk është vetëm qëndrim politik yni, kjo është alternativa e vetme e Republikës së Kosovës dhe qytetarëve tanë me orientimin e vet pro-perëndimor".


Do të dëshiroja, tha më pas kryeparlamenatri Veseli, që vazhdimi i mandatit të EULEX-it, të kontribuojë në rrugëtimin e Kosovës drejt integrimeve, ndërkaq, kërkoi po ashtu, që ai gjatë mandatit të tij të vendosë një drejtësi të mirëfilltë.
"Krimi i organizuar është vetëm krim, andaj është mirë që të ndalen sulmet ndaj ushtarëve të UÇK-së" tha ai, dhe nënvizoi më pas:"Secili duhet të marrë përgjegjësinë e vet". Ndërkaq, në vijim, kreu i Kuvendit Veseli, apeloi:" Nëse dikush ka fakte, duhet të ketë dinjitet dhe kurajë që të denoncojë në prokurori, për këdo që është fjala".


Në favor të kësaj marrëveshjeje, foli edhe kryeministri i vendit Isa Mustafa, paraqitja e të cilit ishte edhe në emër të Grupit Parlamentar të LDK-së.


Qeveria, tha ai, ka filluar me kohë të përgatitet për këtë marrëveshje, dhe lidhur me këtë kemi pasur një qasje shumë serioze sa i përket mënyrës së tranzicionit të EULEX-it.


Duke folur për angazhimet e Qeverisë lidhur me marrëveshjen, kryeministri Mustafa, vuri në pah se që nga 15 shtatori i vitit të kaluar, ekzekutivi i vendit ka pasur të gatshëm qëndrimin dhe në formë të shkruar e kanë dërguar në Bruksel .
Më pas, ai shtoi:" Jemi angazhuar që thellësisht ta trajtojmë këtë çështje me përfaqësuesit e BE-së, duke inkuadruar të gjitha palët e interesit, nisur nga Presidenti i vendit, kryetari i Kuvendit, unë si kryeministër i vendit, ministri i drejtësisë, ai i punëve të brendshme, Prokurori i Shtetit, kryetari i Këshillit Prokurorial, Kryetari i Këshillit Gjyqësorë, drejtori i Policisë së Kosovës dhe kryetari Gjykatës Supreme. Kemi marrë mendimet e të gjithëve dhe vendimi i përbashkët ka qenë ky që është i paraqitur në këto dy projektligje".


Ne kemi vlerësuar, tha ai në vijim, se EULEX-i duhet të mbetet edhe më tutje në Kosovë dhe të angazhohet sipas asaj që është përfshirë në këto projektligje, në mënyrë që të tejkalojmë një shprazëtirë juridike dhe të thellojmë bashkëpunimin për konsolidimin e sistemit të drejtësisë, shtetin ligjorë dhe për të forcuar luftën kundër korrupsionit.

Në emër të VV-së foli shefi i këtij Grupi Glauk Konjufca. EULEX-i, tha ai, është misioni më i kushtueshëm i BE-së, ndërkaq, qëndrimi neutral i tij ndaj statusit të Kosovës, e pengon atë të mbarojë me sukses misionin. Ai më pas vlerësoi:" EULEX-i ka çimentuar statuskuonë në disfavor të Kosovës duke mirëmbajtur ndarjen etnike të Kosovës dhe veriun e saj".


EULEX-i, tha në vijim ai, e ka pamundësuar shtrirjen institucionale në veri të vendit, ndërkaq, presupozon dhe e postulon paaftësinë dhe pamjaftueshmërinë vendore . Ai, u shpreh më pas Konjufca, ka formën e tutelës dhe të paternalizmit.
Sipas, tij, disa nga pjesëtarët e EULEX-it në Kosovë, kanë parë edhe mundësinë për tu pasuruar duke bërë kompromise ndaj krimit të organizuar.

Sllavko Simiq, nga Lista Serbe, ndërkaq, tha:" Ne si grup parlamentar jemi të vetëdijshëm se gjatë ekzistimit të EULEX-it në Kosovë po thuajse prej tetë vitesh, qytetarët kanë vlerësime të ndryshme lidhur me misionin e tij. Por si shoqëri, duhet të jemi të vetëdijshëm se ende nuk jemi të gatshëm të implementojmë reformat në drejtësi, andaj edhe më tutje është e domosdoshme mbështetja ndërkombëtare".


Pas kësaj,lidhur me këtë, folën edhe deputetët: Xhevahire Izmaku,Nuredin Ibishi, Faton Topalli, Blerta Deliu-Kodra, Alma Lama, Vjosa Osmani, Aida Dërguti (nënkryetare e Kuvendit), Mexhide Mjaku-Topalli, Arben Gashi, Shqipe Pantina, Hajdar Beqa, Besa Baftiu, Muhamet Mustafa, Bislim Zogaj, Gëzim Kelmendi, Mytafer Haskukaj, Nait Hasani, Salih Salihu dhe Adem Garabovci.


Përpos deputetëve të VV-së, të cilët ishin kundër zgjatjes së mandatit të EULEX-it, diskutuesit e tjerë u shprehën në favor të projektligjeve, por, në fjalën e tyre ata paraqitën shumë kritika në punën e deritashme të tij.


Pas shterimit të debatit, kreu i Kuvendit Veseli, e hodhi në votim Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes ndërkombëtare në mes Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian mbi Misionin e Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë.


Pas votimit, rezultoi që 84 vota të deputetëve të jenë për, ndërkaq, 6 kundër këtij projektligji.


Pas miratimit të këtij Projektligji, mbledhja vijoi me shqyrtimin e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që ndërlidhen me Mandatin e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Republikën e Kosovës.


Projektligjin e paraqiti dhe arsyetoi zv. kryeministri dhe ministër i Ministrisë së Drejtësisë, Hajredin Kuqi.
Edhe ky projektligj u miratua me 86 vota, ndërkaq, u vendos që shqyrtimi i tij i dytë, të bëhet sot në një mbledhje të veçantë.


Pas shqyrtimit në komisionin përkatës, ashtu siq ishte paraparë, ky projektligj u shqyrtua më pas në një mbledhje të veçantë të Kuvendit.


Deputetët me shumicë votash e miratuan atë.

 

Vazhdimi i mbledhjes së Kuvendit Vazhdimi i mbledhjes së Kuvendit Vazhdimi i mbledhjes së Kuvendit Vazhdimi i mbledhjes së Kuvendit