Lajmet e fundit
Mbledhja e Kuvendit
E Enjte, 16.06.2016
Mbledhja e sotme e Kuvendit të Kosovës, e nisur nën drejtimin e nënkryetarit Xhavit Haliti, filloi me dy pikat e përhershme të mbledhjeve plenare: deklarime jashtë rendit të ditës dhe pyetje parlamentare. Gjatë deklarimit jashtë rendit të ditës, deputetët: Shaip Muja, Glauk Konjufca, Blerta Deliu, Qerim Bajrami, Mytafer Haskuka, Besa Baftiu, Albulena Haxhiu e Elmi Reqica, ngritën një varg çështje dhe shqetësime të qytetarëve, ndërkaq, pyetjeve parlamentare iu përgjigjën anëtarët e kabinetit qeveritar, përkatësisht ministrat: Lutfi Zharku, Imet Rrahmani dhe Arban Abrashi.
Më pas, mbledhja vijoi nën kryesimin e kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli.
Para se të procedohej më tej me rendin e ditës, në foltore u paraqit shefi i Grupit parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri.
Ai kërkoi që rendit të ditës së kësaj seance, t'i shtohen edhe dy pika të tjera, përkatësisht: shqyrtimi i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që ndërlidhen me mandatin e misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit në Republikën e Kosovës, si dhe Ratifikimi i Marrëveshjes Ndërkombëtare në mes të Kosovës dhe BE-së, mbi Misionin e BE-së për Sundim të Ligjit në Kosovë.
Ky propozim u mbështet nga shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, ndërkaq, nuk u përkrah nga VV-ja, qëndrimi i së cilës u bë i ditur nëpërmjet shefit të Grupit Parlamentar, Glauk Konjufca.
Megjithatë, deputetët me shumicë votash vendosën që të plotësohet rendi i ditës me dy pikat e propozuara.
Në vijim u procedua me votimin e Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes Financiare ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për Projektin e Rehabilitimit të Linjës Hekurudhore 10.
Gjatë votimit lidhur me këtë, rezultoi që të mos ketë vota të mjaftueshme për ratifikimin e kësaj marrëveshjeje, ngaqë, vetëm 79 vota ishin në favor të saj.
U procedua më pas me zgjedhjen e tre anëtarëve të Bordit për Ankesa të Mediave. Qëndrimin e Komisionit përkatës dhe listën e të propozuarve e paraqiti deputetja, Xhevahire Izmaku, ndërkaq, për procedim të mëtejmë u formua edhe Komisioni zgjedhor, i përbërë nga përfaqësues të të gjitha subjekteve pjesëmarrëse në seancë.
Pas votimit të fshehtë, Komisioni konstatoi se kandidatët: Avdyl Hyseni e Musa Dragusha, kanë siguruar votat e mjaftueshme të deputetëve, për të qenë anëtarë të Bordit për Ankesa të Mediave. Mandati i tyre do të zgjasë tri vite.
Për anëtarin e tretë të Bordit, ndërkaq, është vendosur që të përsëritet konkursi, pasi që, asnjëri nga kandidatët (Ivica Ivanoviq 29 dhe Ndue Kadriu 28 vota), nuk arriti të sigurojë përkrahjen e mjaftueshme.
Në të njëjtën procedurë, Kuvendi, zgjodhi edhe drejtorin e Agjencisë Kundër Korrupsionit.
Gara për këtë pozitë është zhvilluar ndërmjet Shaip Havollit e Burim Sadikut, ndërkaq, votat e mjaftueshme për të qenë drejtor i Agjencisë Kundër Korrupsionit, me mandat pesë vjeçar, komisioni konstatoi se i ka siguruar, Shaip Havolli.
Në ndërkohë, Kuvendi ka shqyrtuar dhe përkrahur edhe Raportin e Organit Shqyrtues të Prokurimit për vitin 2015.
Pas kësaj, me propozim të deputetes Flora Brovina, kryetare e Komisionit për Shëndetësi, është hequr nga rendi i ditës shqyrtimi i dytë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për aftësimin, riaftësimin profesional dhe punësimin e personave me aftësi të kufizuar.
Në vijim, janë shqyrtuar dhe përkrahur në lexim të dytë, këto projektligje: Projektligji për regjistrimin dhe ofrimin e shërbimeve dhe masave për punësimin e të papunëve, punëkërkuesve dhe punëdhënësve, Projektligji për Energjinë, Projektligji për Energjinë Elektrike dhe Projektligji për Gazin Natyror. Nuk është miratuar ndërkaq, Projektligji për Rregullatorin e Energjisë.
Pas miratimit të këtyre projektligjeve, Kuvendi shqyrtoi propozim-vendimin për caktimin e pagës së Auditorit të Përgjithshëm të Republikës së Kosovës.
Lidhur me këtë, Kuvendi vendosi që të mos e përkrahë propozimin e Komisionit për Buxhet dhe Financa, sipas të cilit paga e Auditorit të Përgjithshëm të Republikës së Kosovës, ishte paraparë të jetë 1875 euro.
Janë shqyrtuar, më pas edhe një mori raporte të agjencioneve dhe institucioneve të pavarura, përkatësisht: Raporti i Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik për vitin 2015, Raporti i Agjencisë Kosovare të Pronës për vitin 2015, si dhe Raporti i Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës për vitin 2015.
Ndonëse debati lidhur me këto raporte është zhvilluar gjatë kësaj mbledhjeje, ato, në mungesë kuorumi nuk u hodhën në votim.
Pas kësaj, Kuvendi ndërpreu punimet, për të vazhduar nesër në orën 11:00.