Lajmet e fundit
Kryetari Veseli takoi Auditorin e Përgjithshëm, Besnik Osmani, dhe pranoi raportin e Auditimit për Kuvendin
E Enjte, 16.06.2016
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, priti sot në takim Auditorin e Përgjithshëm të Republikës së Kosovës, Besnik Osmani dhe njëherësh, pranoi Raportin e Auditimit të Pasqyrave Financiare të Kuvendit, për vitin 2015, si dhe raportet e gjashtë institucioneve të tjera.
Duke uruar Auditorin e ri të Kosovës, me rastin e fillimit të punës në krye të këtij institucioni, kryeparlamentari Veseli e cilësoi shumë të rëndësishme për Kosovën që tani Zyrën e Auditorit e udhëheq një vendor.
Pasi pranoi raportet, kryetari Veseli ftoi të gjithë të interesuarit që t'i lexojnë dhe analizojnë ato, pasi që, nëpërmjet tyre, vërtetohet mënyra e menaxhimit dhe e shpenzimit të parave të taksapaguesve, nga ana e institucioneve publike.
"Transparenca është përgjegjësi dhe mirëqeverisja e parasë publike është detyrim yni, andaj këto raporte duhet t'i nënshtrohen vlerësimit të opinionit publik dhe të dihet mënyra e shpenzimit të parasë publike. Ftojmë institucionet gjegjëse që të bëjnë vlerësimin e këtyre raporteve dhe konform të gjeturave të tyre të ndërmarrin veprime ligjore. Ftoj, po ashtu, institucionet që kanë marrë rekomandimet, të zbatojnë rekomandimet e parealizuara edhe nga viti i shkuar dhe rekomandimet e këtij viti", theksoi kryetari Veseli.
Kreu i Kuvendit i ofroi Auditorit të Përgjithshëm mbështetje të plotë në realizimin e detyrave ligjore, duke qenë i bindur se udhëheqja e këtij institucioni është sfidë që do mbështetjen e të gjitha institucioneve.
Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani, nga ana e tij, bëri të ditur se së shpejti do të bëhet publikimi i 104 raporteve të auditimit për institucione të ndryshme të vendit. Ai konfirmoi zotimin e tij e të institucionit që drejton, për punë profesionale dhe të paanshme, konform standardeve ndërkombëtare të auditimit.
Po sot, kryetari Veseli takoi edhe Guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës, Bedri Hamza, nga i cili pranoi raportin e punës së këtij institucioni për vitin e kaluar.