Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit

E Hënë, 13.06.2016




Kuvendi do të mblidhet në seancë plenare këtë të enjte, më 16 qershor, në orën 10:00, në të cilët do të shqyrtojë një varg projektligjesh dhe raportesh.


Kështu vendosi sot Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e përbashkët me kryetarët e grupeve parlamentare, të drejtuar nga kryetari Kadri Veseli.


Në mbledhjen e të enjtes, pas deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare, do të votohet Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes Financiare ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për Projektin e Rehabilitimit të Linjës Hekurudhore 10, ndërsa më pas do të procedohet me zgjedhjen e tre anëtarëve të Bordit për Ankesa të Mediave, si dhe të drejtorit të Agjencisë Kundër Korrupsionit.


Në vazhdim, deputetët do t'u kthehen serish projektligjeve, me ç'rast pritet të shqyrtojnë për herë të dytë gjashtë sosh: Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për aftësimin, riaftësimin profesional dhe punësimin e personave me aftësi të kufizuar, Projektligjin për regjistrimin dhe ofrimin e shërbimeve dhe masave për punësimin e të papunëve, punëkërkuesve dhe punëdhënësve, Projektligjin për energjinë, Projektligjin për energjinë elektrike, Projektligjin për Rregullatorin e Energjisë, si dhe Projektligjin për gazin natyror. Më pas, do të shqyrtohet propozim-vendimi për caktimin e pagës së Auditorit të Përgjithshëm të Republikës së Kosovës.


Kuvendi do të vazhdojë punimet me shqyrtimin e katër raporteve të punës të institucioneve të pavarura, për vitin e kaluar: raportin e Organit Shqyrtues të Prokurimit, raportin e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, raportin e Agjencisë Kosovare të Pronës, si dhe atë të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.


Në mbledhjen e sotme, Kryesia diskutoi edhe çështje të tjera. Kështu, ajo shqyrtoi dhe miratoi rekomandimin e Komisionit për Buxhet dhe Financa për kërkesat buxhetore të Kuvendit të Kosovës për vitet 2017-2019, në bazë të Qarkores së parë buxhetore të Ministrisë së Financave 2017/01, të cilin para Kryesisë e prezantoi sekretari i përgjithshëm i Kuvendit, Ismet Krasniqi.

 

 

Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit