Lajmet e fundit

Nga mbledhja plenare e Kuvendit të Kosovës

E Enjte, 09.06.2016




Në mbledhjen e sotme të rregullt të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të drejtuar nga Xhavit Haliti, nënkryetar i Kuvendit, pas një periudhe relativisht të gjatë, punimet kanë filluar me pjesëmarrjen e një pjese të opozitës, deputetëve të Lëvizjes për Vetëvendosje.

Fillimisht, deputetët kanë bërë deklarime jashtë rendit të ditës, si dhe kanë shtruar pyetje parlamentare për punën e Qeverisë së Kosovës.

Më tej punimet e seancës kanë vijuar me shqyrtimin e tre projektligjeve: Projektligjit për Ratifikimin e Konventës për heqjen e Kërkesës për legalizim të dokumenteve zyrtare të huaja (5 tetor 1961), Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes për hua ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për rehabilitimin e rrugëve rajonale, si dhe atij për Ratifikimin e Marrëveshjes Financiare ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për Projektin e Rehabilitimit të Linjës Hekurudhore 10.

Në emër të qeverisë, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi arsyetoi Projekligjin për Ratifikimin e Konventës për heqjen e Kërkesës për legalizim të dokumenteve zyrtare të huaja (5 tetor 1961). Ai theksoi se Mbretëria e Holandës, si vendi depozitues i kërkesës, e ka miratuar kërkesën e Republikës së Kosovës dhe duhet të hyjë në fuqi më 14 korrik 2016, për aderimin në këtë Konventë. Anëtarësimi i Kosovës në këtë Konventë, shtoi Abrashi, fuqizon subjektivitetin e saj në arenën ndërkombëtare. Gjithashtu, Kosova përfiton mjaft në lehtësimin e procedurave dokumentare për qytetarët dhe bizneseve.

Më pas ministri i Financave, Avdullah Hoti, arsyetoi dy projektligje: Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për hua ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për rehabilitimin e rrugëve rajonale, si dhe atë për Ratifikimin e Marrëveshjes Financiare ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për Projektin e Rehabilitimit të Linjës Hekurudhore 10.

Pas diskutimeve të deputetëve, me 2/3 e votave u miratuan vetëm dy projektligjet e para, kurse Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes Financiare ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për Projektin e Rehabilitimit të Linjës Hekurudhore 10, me kërkesë të kryetarit të Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, u shty për në seancën e radhës.

Kryesuesi i mbledhjes, nënkryetari Haliti, vijoi punimet e Kuvendit me shqyrtimin e dytë të tri projektligjeve: Projektligjit për Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, Projektligjit për falimentimin, si dhe Projektligjit për investimet strategjike në Republikën e Kosovës.

Pas arsyetimeve nga kryetarët e komisioneve funksionale dhe diskutimeve të deputetëve, dy projektligjet e para u miratuan, ndërsa u shty votimi për Projektligjin për investimet strategjike në Republikën e Kosovës.

Lidhur me shqyrtimin e Propozim-vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për emërimin e anëtarëve të Komisionit për Mbrojtjen e Konkurrencës, foli kryeministri Mustafa, i cili sqaroi se në këtë propozim është ndërhyrë dy herë, për shkak, siç tha ai, të konfliktit të interesit, pasi dy anëtarë të propozuar më parë, është konstatuar se mund të kenë qenë bashkëpronarë apo bashkëaksionarë të firmave private.

"Gjithashtu kemi një ndërhyrje të tretë, pasi një kandidat nuk ishte i profilit. Tashmë jemi të sigurtë se anëtarët e propozuar i plotësojnë kushtet formale, ndaj të kalohet në procedurë votimi për miratim", theksoi Mustafa.

Pas shterimit të debateve, udhëheqësi i seancës hodhi në votim propozim-vendimin e Qeverisë për emërimin e Komisionit për Mbrojtjen e Konkurrencës, me përbërje: Valon Prestreshi, kryetar, Ahmet Krasniqi zëvendëskryetar, Fatime Haziri, Muhamet Krasniqi dhe Shaqir Morina, anëtarë. Deputetët miratuan propozim-vendimin e qeverisë.

Pas pushimit, për mungesë të kuorumit për votim, puna vijoi me shqyrtimin e dy raporteve: raportit të punës së Agjencisë Kosovare të Privatizimit për vitin 2015 dhe Raportin e punës së Zyrës Rregullatore për Ujësjellës dhe Kanalizim për vitin 2015. Pas diskutimeve vlerësuese me nota negative nga deputetët, të dy raportet nuk u miratuan.

Me votim formal, ndërkaq, deputetët votuan propozimet e Grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, për disa ndryshime të përfaqësuesve të saj në komisionet parlamentare.

Me kërkesë të kryetarit të Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, pikat e mbetura të kësaj seance, do të futen në rend të ditës së seancës pasuese.

 

Nga mbledhja plenare e Kuvendit të KosovësNga mbledhja plenare e Kuvendit të Kosovës Nga mbledhja plenare e Kuvendit të Kosovës Nga mbledhja plenare e Kuvendit të Kosovës