Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Bujqësi
E Mërkure, 08.06.2016
Komisioni për Bujqësi, Pylltari, Mjedis e Planifikim Hapësinor, në mbledhjen e sotme të kryesuar nga Duda Balje, kryetare, diskutoi për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, si dhe çështje të tjera nga fushëveprimtaria e tij.
Anëtarët e komisionit kërkuan që të insistohet që materiali për demarkacionin të sillet në komision për shqyrtim, për faktin se, siç u tha nga anëtarë të tij, kanë kaluar 10 muaj që kur ky material është dërguar në Komisionin për Integrime Evropiane, ndërsa nuk ka arritur në Komisionin për Bujqësi, Pylltari, Mjedis e Planifikim Hapësinor, si komision përgjegjës për çështje të kësaj natyre.
Kryetarja e komisionit, Balje, tha se do të procedojë kërkesën që komisioni të ketë këtë material.
Në vazhdim të mbledhjes, komisioni vendosi që të fillojë shqyrtimin e aplikacioneve të kandidatëve për zëvendësdrejtor të Autoritetit të Rregullatorit të Ujit, ndërsa javën e ardhshme të bëhet intervistomi i tyre.